Krejt çka tha Abazoviq pasi u shkarkua

  • E.K /
  • 20 August 2022 - 10:33
Krejt çka tha Abazoviq pasi u shkarkua

Me 50 deputetë që votuan pro mocionit të mosbesimit, Dritan Abazoviq dhe kabineti i tij janë rrëzuar nga pushteti në Mal të Zi, 115 ditë pas marrjes së detyrës.

Posa u ekzekutua mocioni, Abazoviq nuk vonoi për të dalë në një konferencë për media, ku tha se qeveria aktuale do të mbahet mend si qeveria që zgjati më pak, por mori vendimet më të vështira.

Ai tha se ndihej shumë krenar, duke shtuar se shumë gjëra në Mal të Zi tani janë më të qarta.

“Po i shpall koalicionin e ri Milo Gjukanoviqit dhe Aleksa Beçiqit, shpresoj që shpejt të bien dakord për qeverinë. Jemi të gatshëm t’ia dorëzojmë stafetën kujtdo që shpresojmë se do ta udhëheqë më mirë vendin”, tha kryeministri tanimë në detyrë i Malit të Zi.

Abazoviq tha se PDSh-ja e ka mbështetur Qeverinë edhe pse kanë vlera të ndryshme, duke shtuar se personalisht ndjen se situata është lehtësuar plotësisht.

“Më vjen keq që krimi i organizuar ende përdor tentakula, do të kujtohemi si një qeveri që zgjati pak, por mori vendimet më të vështira”, tha ai.

Ai përsëriti se nuk do të marrë pjesë në qeverinë e rindërtuar, duke shtuar se beson se nuk do të marrë pjesë as Partia Popullore Socialiste (PKSH).

“Është logjike që dikush tjetër të marrë iniciativën. Le të ulen Beçiq, Gjukanoviq dhe Shehoviq dhe të bien dakord për një koalicion”, tha ai.

I pyetur se si mund të planifikohen zgjedhjet nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ai tha se duhet kërkuar nga DPS-ja.

“Do të bëjmë gjithçka për të vazhduar pa kufizime sikur të mos kishte rënë qeveria. Pra nuk do të ndikojë në punën që është funksionale”, u shpreh tutje ai.

Abazoviq është përgjigjur në pyetjen e Klan Kosovës se cilat janë planet e tij pas mocionit, duke thënë se shpresojnë që së shpejti pas zgjedhjeve të formohet qeveria e re.

“Shpresojmë që shumë shpejtë do të arrijmë që pas zgjedhjeve të formojmë qeveri të re dhe të shkojmë në drejtimin evropian”, është shprehur ai.

(Kosova Sot Online)