Nagavci e zhgënjen personin që po e kërkon shaminë në shkolla – “do të shkojmë në gjykatë”

  • E.K /
  • 20 August 2022 - 16:34
Nagavci e zhgënjen personin që po e kërkon shaminë në shkolla – “do të shkojmë në gjykatë”

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kur u pyet sot në një konferencë për media rreth kërkesës për heqjen e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, u përgjigj se ai s’do të ndryshohet. Megjithatë, ajo shprehi zotimin se e drejta për shkollim është një e drejtë e garantuar dhe se askujt s’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në shkollat tona.

Pas kësaj deklarate të ministres ka reaguar Durim Berisha, një ndër më të zëshmit të iniciativës së ndërmarrë për ndryshimin e këtij udhëzimi.

Berisha, i cili ka qenë edhe këshilltar në Gjykatën Kushtetuese, tha se kjo çështje s’u mbyll me deklaratë dhe se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

“Popull, PA PANIK! Nuk ka marrë fund asgjë. Gjate tere kohes kemi theksuar se nese Ministria nuk e ndryshon UA me deshire, do e bejme permes rrugeve gjyqesore. Nuk do te lejojme qe te riaktualizohet nje teme fisnike me qellim qe Qeveria ta perdore si perde per problemet tjera”.

Ai tha se ky është një proces juridik që është filluar me kërkesen e dorëzuar formalisht me datën 01.08.2022 dhe shtoi se edhe vetë ministrja e di që kërkesa është e bazuar, por “i jep prioritet forumeve të partisë”.

Berisha tha se formalisht Ministria ende s’e ka refuzuar kërkesën.

“Me gjakftohtesi e duke ndjekur rruget ligjore, kjo çeshtje do te zgjidhet. Fleni dathe! P.s. nuk kemi çka te deklarojme per media me shume sesa “do te ndjekim rruget ligjore. Ministria nuk e ka refuzuar formalisht kerkesen, prandaj ne do te presim ose refuzimin formal ose heshtjen administrative qe te fitojme te drejten per te nisur procesin gjyqesor administrativ”.

(Kosova Sot Online)