Faktet që fundosën rusët e ukrainasin, hynë në Shqipëri të ndarë por u bashkuan te bazat ushtarake

  • E.K /
  • 22 August 2022 - 14:09
Faktet që fundosën rusët e ukrainasin, hynë në Shqipëri të ndarë por u bashkuan te bazat ushtarake

Në telefonat e 2 rusëve Svetlana Timofeeva e Mikhail Zorin dhe ukrainasit Fiodor Mihailovic që u kapën në uzinën e Gramshit, hetuesit gjetën foto edhe të bazave të tjera ushtarake, të bëra në muajin Gusht. Kjo shton dyshimet për aktivitet spiunazhi.

Detajet e reja janë zbuluar përmes aparateve fotografike dhe celularëve që janë zbërthyer nga hetuesit. Në to janë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme por kryesisht “Telegramit”.

Dyshimet shtohen më tej pasi dy rusët dhe ukrainasit hynë në Shqipëri në tre drejtime të ndryshme përgjatë muajit gusht, nga Aeroporti i Rinasit, Porti i Durrësit dhe pika e Kalimit Kufitar të Muriqanit.

Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe hyri para 4 ditëve nga Rinasi, dhe Mikhail Zorin nga Muriqani dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov me makinën ‘Chevrolet’ nga Porti i Durrësit.

Tre të rinjtë janë në paraburgim dhe akuzohen zyrtarisht për 3 vepra penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim. Ky nuk është rasti i parë kur shtetas rusë ndalohen në bazat ushtarake të Shqipërisë.

Në 14 tetor  2014-të tre shtetas rusë u ndaluan pranë bazës ushtarake të Pashalimanit, pasi dyshoheshin se ishin agjentë të sherbimit sekret rus. Ato janë prezantuar si gazetarë që kishin ardhur në Shqipëri për të bërë një dokumentar për vendet anëtare të NATO-s. Asokohe dyshimet kanë qënë të forta se agjentët po mblidhnin informacion mbi të gjitha bazat ushtarake të vendeve të NATO-s.

(Kosova Sot Online)