Zv.kryeministrja serbe i përmend telashet me rrymë dhe “kërcënimet” e Kosovës: Duam paqe

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 14:47
Zv.kryeministrja serbe i përmend telashet me rrymë dhe “kërcënimet” e Kosovës: Duam paqe

Zorana Mihajloviq, zëvendëskryeministre e Serbisë, ka thënë të martën se “Kosova po e kërcënon Beogradin”, dhe sipas saj Serbia “do paqe”.

Ajo ka përmendur edhe problemet me rrymë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë Kosova dhe Serbia.

“Nuk është e lehtë, sidomos duke pasur parasysh presionet me të cilat po përballemi, duke pasur parasysh krizën energjetike në të gjithë Evropën dhe nuk do të ishte e lehtë për asnjë vend, por ajo që është e rëndësishme për qytetarët është që të ketë një politikë të qartë shtetërore. Gjithmonë do të luftojmë për një kompromis, sepse duam paqe”, ka thënë ajo.

Ajo i quan “alarmante” për kërcënimet që sipas saj “vijnë nga Prishtina”.

“Të gjitha mesazhet dhe kërcënimet që vijnë nga Prishtina janë alarmante dhe kjo është baza e të gjitha problemeve, pavarësisht nga të gjitha, politika jonë, politika e shtetit të Serbisë, e qeverisë dhe e presidentit të Republikës, është bisedë dhe kompromis”, ka deklaruar ajo.

Zyrtarët serbë i kanë shtuar deklaratat për Kosovën, sidomos pas dështimit të një marrëveshjeje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, kur më 17 gusht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me Aleksandër Vuçiqn. 

(Kosova Sot Online)