Kurti i përgjigjet zëshëm Hillit që tha se s’ishte i përgatitur për tema specifike në Bruksel

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 12:20
Kurti i përgjigjet zëshëm Hillit që tha se s’ishte i përgatitur për tema specifike në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq s’ka shkuar si polic apo si doganier, por si kryeministër.

Kështu, Kurti iu përgjigj ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili tha dje se në takim “fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”.

“Unë kam qenë si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam qenë as si polic, as si doganier, as si prokuror, as si gjykatës, e as si shef i kadastrës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se pika e parë e agjendës së takimit ishte elementet e kornizës së marrëveshjes përfundimtare.

“Kam shkuar si kryeministër i Republikës së Kosovës sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha Kurti.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill pati vërejtje për qasjen e Kurtit në takimin e 18 gushtit me Vuçiqin. Ai tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, por, palët e tjetra, siç tha Hill, nuk ishin të përgatitur “që të flasin për specifika”.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ambasadori amerikan në Beograd.

(Kosova Sot Online)