Atë që Kurti e quan dezinformatë të Vuçiqit, Hill e komentoi mbrëmë kështu

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 12:34
Atë që Kurti e quan dezinformatë të Vuçiqit, Hill e komentoi mbrëmë kështu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka demantuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kurti ka dashur që të rinegociojë të gjitha marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti e mohoi këtë duke thënë se Vuçiq ka plasuar dezinformata dhe se në njërin prej kapitujve të prezantuar ka qenë rikonsiderimi i marrëveshjeve të deritanishme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç e ka prezantuar Vuçiq.

Për shpifjen e Vuçiqit mbrëmë në një intervistë është pyetur edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili ka thënë se shpreson se këtë s’e ka menduar Kurti.

“Mendoj se ai dëshiron të shohë gjithçka dhe të kuptojë gjithçka, si dhe të njohë detajet. Unë sinqerisht shpresoj se ai nuk do të thoshte diçka të tillë dhe se nuk e kishte ndërmend, siç thoni ju, një rinegocim të gjithçkaje. Sepse sërish negociata nënkuptojnë marrëveshje të të dyja palëve, jo vetëm njërës”, tha Hill.

Kurti akuzoi palën serbe për përhapje të shumë dezinformatave, derisa e sqaroi edhe këtë për rinegocim të marrëveshjeve të arritura.

“Në kapitullin e pestë duhet t’i rikonsiderojmë marrëveshjet e deritanishme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj se cilat prej këtyne marrëveshjeve veç janë tejkaluar nga pranimi dhe nënshkrimit të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme e finale, e cilat prej tyre duhet të vazhdohet të implementohen dhe kapitulli i fundit duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

(Kosova Sot Online)