Kryeministrja finlandeze me lot në sy i drejtohet publikut: Jam njeri

  • S.A /
  • 25 August 2022 - 16:08
Kryeministrja finlandeze me lot në sy i drejtohet publikut: Jam njeri

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, e mbrojti në lot jetën e saj private, të bërë publike sëfundmi në ato që u konsideruan skandale dhe bënë xhiron e botës. Duke folur në qytetin Lahti, 36-vjeçarja u shfaq me sytë e skuqur dhe të mbushur me lot, duke adresuar kritikat që e rrethojnë prej javësh lidhur me videot dhe imazhet e publikuara të saj dhe rrethit të ngushtë në festa dhe momente private.

 “Unë jam një njeri. Gjatë këtyre kohërave të errëta, unë gjithashtu kam nevojë për dëfrim, qetësi dhe argëtim. Kjo përfshin të gjitha llojet e fotove dhe videove që nuk do të doja t’i shihja dhe e di që nuk do të donit t’i shikonit asj ju. Dhe prapëseprapë të gjithëve na tregohet ai lloj materiali. Janë materiale private, të gëzueshme, dhe kjo është jeta ime. Por unë nuk kam humbur asnjë ditë pune apo një detyrë të vetme dhe nuk do ta bëj kurrë”, u shpreh ajo.

Mbrojtja e Sanna Marin vjen pas ndjesës së kërkuara për një imazh të publikuar që shfaq dy influencere topless që puthen në një festë private në rezidencën e saj kryeministrore në Helsinki. Imazhi ishte shkrepur në muajin korrik dhe ishte postuar në rrjetin social TikTok nga Sabina Sarkka, ish-mis Finlanda.

Telashet dhe polemikat për 36-vjeçaren nisën kur disa video të saj në një festë morën vëmendje të madhe për mënyrën se si kryeministrja kërcente dhe dëfrehej me miqtë e saj. Për atë festë, Marin bëri dhe një test droge, në të cilin doli negative.

Për finlandezët jeta e saj nuk është aspak sekrete, pasi Sanna Marin, që prej vitit 2019 kur erdhi në pushtet, është aktive në rrjetet sociale, ku tregon jetën normale të një vajze të re, me takime, festa, muzikë e kërcime, ndonëse është kryetare qeverie.

(Kosova Sot Online )