Dje Kurti u kërkoi takim, sot deputeti i tij opozitarët i quan zëdhënës të Vuçiqit

  • S.A /
  • 25 August 2022 - 16:25
Dje Kurti u kërkoi takim, sot deputeti i tij opozitarët i quan zëdhënës të Vuçiqit

Meqë Kuvendi i Kosovës është në pushim, kryeministri Albin Kurti do t’iu çojë ftesa partive opozitare për një takim ku ai do t’iu tregojë për takimin e 18 gushtit që pati në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Por, para se të ndodhë ky takim, deputeti i partisë së Kurtit, Agon Batusha, ka akuzuar opozitën se po e shton presionin e brendshëm ndaj kryeministrit Kurti. Madje, ai i quajti ata edhe “zëdhënës të Vuçiqit”.

“Përderisa Serbia është në pozicionin më të vështirë dhe të pafavorshëm diplomatik, spektri politik në Serbi i ka dhënë mbështetje Vuçiqit për dialogun në Bruksel. Ndërsa në Kosovë, opozita po mundohet të shtojë presionin e brendshëm te kryeministri i Kosovës, duke dhënë deklarata të pamatura, e në shumë raste heshtin totalisht duke kalkuluar në ndonjë përfitim për vete. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe aspak lehtësuese, përkundrazi, po bëjnë dëme në procesin që kemi hyrë, e në shumë raste tingëllojnë sikur të jenë zëdhënës të Vuçiqit”, tha ai për Gazetën Blic.

Batusha tha se opozita ka qenë refuzuese në ftesat e kryeministrit dhe presidentes.

“Interesi shtetëror do të duhej të jetë mbi interesat personale, partiake e grupore, mbi çdo përfitim elektoral, ekonomik e politik. Këtu duhet theksuar refuzimin e opozitës për takimet në të cilat janë ftuar nga kryeministri dhe presidentja”.

(Kosova Sot Online )