Zyrtari i MMPHI që po mban grevë: Listat e grevistëve keni me i marrë, kur të bën “shelnja” rrush

  • E.K /
  • 25 August 2022 - 20:16
 Zyrtari i MMPHI që po mban grevë: Listat e grevistëve keni me i marrë, kur të bën “shelnja” rrush

Zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ali Sefaj, i cili njëherit është sindikalist e grevist, ka bërë një reagim ndaj Qeverisë, pasi këta të fundit ‘kërcënuan’ se ata që po mbajnë grevë, do të mbesin pa paga.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Sefaj i thotë Qeverisë se nuk do t’ua dërgojnë atyre listat e grevistëve.

“Listat e grevistëve keni me i marrë, kur të ban shelnja rrush. Andaj rrini gati”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme u publikuan email-e të komunikimit të Ministrisë së Financave me anëtarët e këshillit grevist, në lidhje me pezullimin e pagave për punëtorët që po mbajnë grevë.

Sefaj i ka treguar zëvendëssekretarit se grevës do t’i bashkohen edhe shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal, Spahiu i ka thënë se nuk do ta cenojnë të drejtën e grevës, por do të kujdesen që të zbatohet Ligji për Greva.

Zëvendëssekretari në këtë komunikim të publikuar nga Ministria e Financave, ia ka kërkuar Sefajt listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva, si dhe iu ka garantuar që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjnë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë.

Kurse, anëtari i këshillit grevist dhe përfaqësues i shoqatave, Ali Sefaj ia ka përmendur paragrafin 1 të nenit 13 të Ligjit për Greva: Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

 “Emaili i juaj ka shkaktuar pakënaqësi tek shërbimi civil dhe ka venë në pozitë të keqe qeverinë e Kosovës, duke u akuzuar nga mediat dhe shoqëria civile për shkak të këtij llapsuzi edhe si qeveri jodemokratike”, i ka shkruar Sefaj zëvendëssekretarit.

(Kosova Sot Online)