Kurti takon ambasadorët e shteteve të NATO-s, BE-së, Japonisë e Zvicrës, flasin për dialogun me Serbinë

  • E.K /
  • 26 August 2022 - 17:41
Kurti takon ambasadorët e shteteve të NATO-s, BE-së, Japonisë e Zvicrës, flasin për dialogun me Serbinë

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Besnik Bislimin, kanë takuar sot ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve të shteteve anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ambasadorin e Japonisë dhe Zvicrës.

Në këtë takim siç njofton ZKM, është folur për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve mes Qeverisë dhe ambasadorëve të shteteve anëtare të NATO-së, BE-së dhe Japonisë e Zvicrës.

“Lidhur me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke. Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Në këtë takim, që pason atë të djeshmin me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it, u bisedua edhe për proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)