Zbardhen detaje tronditëse, 11 vjeçarja dyshohet se është dhunuar edhe më parë, shteti ende s'i ka siguruar psikolog

  • G.G /
  • 30 August 2022 - 23:32
Zbardhen detaje tronditëse, 11 vjeçarja dyshohet se është dhunuar edhe më parë, shteti ende s'i ka siguruar psikolog

Detajet e rastit të tmerrshëm të dhunimit të një vajze 11 vjeçare vetëm sa po vijnë e po bëhen më drithëruese. 

E rrëmbyer dhe e dhunuar për 7 orë nga 5 persona, trauma që ka përjetuar viktima është e paimagjinueshme. Thënë këtë, ajo ende s’ka pasur mundësi të flasë me një psikolog.

Pesë të dyshuarit e këtij krimi mizor janë kapur tashmë nga Policia e Kosovës, dy prej tyre të mitur.

Ishte e çuditshme për shumëkënd se si mungesa 7 orëshe e vajzës nuk ishte raportuar fare në Polici, por informatat që ka grumbulluar Metro japin një shpjegim të tmerrshëm rreth kësaj çështje.

Nga ajo që mësohet prej burimeve të saj brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, viktima dyshohet se është dhunuar dhe shfrytëzuar edhe më parë, në disa raste.

Ajo thuhet se kishte shpenzuar një kohë të madhe rrugëve, pasi që nuk e kishte pasur përkujdesjen e duhur nga familja. Kësisoj, ajo ishte përdorur edhe më parë nga njerëz të tjerë.

Edhe më tronditës është fakti se viktima ende nuk ka marrë trajtimin e duhur psikologjik pas ndodhisë së tmerrshme që përjetoi më 27 gusht.

Sipas burimit, Prokuroria e ka pasur të pamundur kontaktin me viktimën deri më tani, pasi që nuk i është caktuar ende një psikolog.

Prokuroria e ka bërë kërkesën për punësimin e një psikologu prej para një viti, thotë burimi, por ende nuk e kanë një të tillë.

Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, në lagjen Arbëria në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij, G.Rexhepi.

Ekremi dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain dhe dy të miturit e tjerë të dyshuar bashkë me vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.

Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur të dyshuarin e pestë, i cili u arrestua sot. Ai është 19 vjeç, dhe babai i tij tha se vetë ai e kishte dorëzuar të birin në Polici.

Pas arrestimit, pesë të dyshuarit janë intervistuar dhe gjatë dhënies së deklaratave e kanë pranuar veprën për të cilën po dyshohen. Ndaj tyre Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit.

(Kosova Sot Online)