Mbrojtja e Krasniqit kërkon miratimin e kërkesës për asistencë dhe bashkëpunim me një shtet të tretë që refuzoi bashkëpunimin

  • G.G /
  • 31 August 2022 - 13:56
Mbrojtja e Krasniqit kërkon miratimin e kërkesës për asistencë dhe bashkëpunim me një shtet të tretë që refuzoi bashkëpunimin

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar që gjykata ta miratojë kërkesën për asistencë dhe bashkëpunim me një shtet të tretë që ka refuzuar bashkëpunimin.

Kjo është bërë e ditur përmes kërkesës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas shkresës, në bazë të rregullit 208 (2) të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të kërkojë ndihmën dhe bashkëpunimin e [REDAKTUAR].

Aty thuhet se kërkesa aktuale është dorëzuar pas refuzimit të [REDAKTUAR] për t’i dhënë mbrojtjes informacione dhe dokumente materiale për përgatitjen e çështjes së saj dhe se refuzimi i [REDAKTUAR] për të bashkëpunuar pengon ndjeshëm aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur për gjykim.

(Kosova Sot Online)