Qeveria vendosi përsëri masa të reja mbrojtëse për produktet e naftës në tregun e Kosovës

  • S.A /
  • 31 August 2022 - 16:27
Qeveria vendosi përsëri masa të reja mbrojtëse për produktet e naftës në tregun e Kosovës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim që të vendosë masa mbrojtëse për produktet e derivateve të naftës. Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar me shumicë është 2 centë për litër, kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë 12 centë për litër naftë. Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se “MINT-i ka monitoruar tregun e produkteve të naftës dhe çmimet e furnizimit nga importi. Në bazë të raportit të Inspektoratit të Tregut, është evidentuar mospërputhje e çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore”. “Kjo përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thekson vendimi. Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë. Aktualisht, në tregun e Kosovës, një litër naftë kushton deri në 1.80 euro, kurse një litër benzinë deri në 1.50 euro.

Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan vetëm për derivate të naftës. Tavani i çmimit të tyre ishte përcaktuar çdo 24 orë. Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.

Edhe në muajin mars, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind. Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. 

(Kosova Sot Online )