Zhdukja e 11-vjeçares në qershor, kapen gjashtë persona të moshës madhore të dyshuar për rastin

  • G.G /
  • 03 September 2022 - 11:08
Zhdukja e 11-vjeçares në qershor, kapen gjashtë persona të moshës madhore të dyshuar për rastin

Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku kanë njoftuar se janë arrestuar gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku 11-vjeçarja që u dhunua të shtunën(27.08.2022), ishte raportuar si person i zhdukur.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.

Në cilësi të provave materiale, Prokuroria ka thënë se janë konfiskuar shtatë telefona mobil.

“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur”, thuhet në komunikatë.

Këto dy institucione thonë se për të dy çështjet penale, ku e përfshirë është viktima e mitur, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje.

Ndryshe, 11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar të shtunën e kaluar nga pesë persona, të cilët ndodhen në paraburgim.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, dhunimi ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.

Aty përshkruhen detaje tronditëse për rastin.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria. Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara.

Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhënie me të./Gazeta Express

Komunikata e plotë:

Prishtinë, 3 shtator 2022 – Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, ju njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin Qendror të Hetimeve-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022, fillimisht ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore.

Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.

Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje.

Po ashtu, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil që do të shërbejnë në procedurë penale.

(Kosova Sot Online)