11 të arrestuar për rastet e 11-vjeçares, të dyshuarit për trafikimin e dhunimin e saj në qershor s’u kapën deri dje

  • S.A /
  • 03 September 2022 - 12:49
11 të arrestuar për rastet e 11-vjeçares, të dyshuarit për trafikimin e dhunimin e saj në qershor s’u kapën deri dje

11-vjeçarja e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona para një jave, dyshohet se ishte trafikuar dhe dhunuar edhe nga gjashtë persona të tjerë në muajin qershor, kur ishte raportuar si e zhdukur. Policia ka arritur t’i arrestojë këta persona gati tre muaj më vonë, përkatësisht dje. Në total, numri i të arrestuarve për këto dy raste, ku është e përfshirë e mitura, ka arritur në 11.

Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë dalë sot me një komunikatë të përbashkët, përmes së cilës kanë njoftuar se janë arretuar gjashtë persona, të cilët dyshohet se ishin përfshirë në rastin, ku 11-vjeçarja që dyshohet se u dhunua nga pesë persona të shtunën e kaluar(27.08.2022), ishte raportuar si person i zhdukur.

Arrestimi i tyre vjen gati tre muaj, pasi e mitura dyshohet se ishte dhunuar dhe trafikuar nga të njëjtit.

Sipas Prokurorisë dhe Policisë, ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil.

“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Pas lajmit për arrestimin e të dyshuarve, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorin e rastit.

“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë? Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, ka shkruar Haxhiu.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar të shtunën e kaluar, nga pesë persona, tre prej të cilëve të mitur. Të pesë të dyshuarit tashmë ndodhen në paraburgim.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dhunimi kishte nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.

Aty përshkruhen detaje tronditëse për rastin.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria. Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara.

Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhënie me të.

Ndryshe, pas rastit të 11-vjeçares, ka dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,Samedin Mehmeti. Dorëheqje ka dhënë edhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, meqë një prej të dyshuarve për dhunim kishte qenë shtatë herë në burg.

(Kosova Sot Online )