Osmani sot pret Jasharajn, Kurti ka vërejtje: Unë e takoj veç kreun e BSPK’së jo liderë të degëve sindikale

  • S.A /
  • 03 September 2022 - 13:30
Osmani sot pret Jasharajn, Kurti ka vërejtje: Unë e takoj veç kreun e BSPK’së jo liderë të degëve sindikale

Duke parë situatën e renduar në vend të krijuar nga grevat në arsim dhe moskomunikimin në mes të Qeverisë dhe SBASHK-ut që drejtohet nga Rrahman Jasharaj, ka ndërhyrë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila sot do të takohet me Jasharajn e ku do të flasin për të gjetur një zgjidhje se si të ecet përpara.

Për një ndërhyrje të tillë të presidentes duket se i ka mbetur hatri kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili përgjatë konferencës për media bashkë me ministrin Hekuran Murati e ka theksuar disa herë se si kryeministër e takon vetëm kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK-së) Atdhe Hykollin, dhe jo liderë sindikal të tjerë ndaras.

Kurti ka potencuar se nuk është në rregull që të kapërcehet Atdhe Hykolli e të takohet me liderë të degëve sindikale.“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi”, ka thënë sot Kurti në konferencë.

Ai tutje është kujdesar që ta godasë Rrahman Jasharajn, duke thënë se në të kaluarën liderë të degëve sindikale kishin krijuar lidhje direkte me kryeministra, president e ministra dhe se ishte prishur një rregull i tillë.

“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara”, ka thënë sot kreu i Qeverisë.

Kurti në konferencë për media është pyetur se “a po gabon presidentja Osmani” që do ta takojë sot Rrahman Jasharajn meqë vetë Kurti si kryeministër e ka potencuar që nuk e tejkalon BSPK-në dhe Atdhe Hykollin.

Kurti ka deklaruar sot se s’mund të flasë as për agjendën e tij meqë ka shumë takime e lërë më të të tjerëve.

 “Shikoni unë ju tregova, Unë ju tregova, agjendën time deri në fund të ditës nuk e di saktësisht sepse kam takime kah 10-15 minuta.As nuk mund të flasë për agjendën time siç ju thash e jo të të tjerëve”, ka thënë Kurti kur është insistuar nga T7 për të marrë një qëndrim për takimin e Osmanit me Jashrajn.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje shefja e shtetit Vjosa Osmani ka ftuar në takim përfaqësuesit e sindikatave dhe ata të qeverisë së Kosovës. Takimi pritet të mbahet sot në orën 15:00. Lajmin për T7 e kishte konfirmuar të premten kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Presidentja e vendit në një reagim që kishte bërë me 1 shtator, kishte deklaruar se në vend të gregave, duhet t’i jepet mundësi dialogut.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera.”, kishte shkaruar presidentja Osmani.

(Kosova Sot Online )