E gënjeu Policinë dy ditë rresht, 38-vjeçarja në Ferizaj përfundon në mbajtje

  • S.A /
  • 07 September 2022 - 10:07
E gënjeu Policinë dy ditë rresht, 38-vjeçarja në Ferizaj përfundon në mbajtje

Një grua e thirri Policinë mbrëmjen e së hënës për të bërë një denoncim të rremë. Ajo u kishte thënë zyrtarëve policorë se në një lokal në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani” në Ferizaj, e kishte parë një person duke e nxjerrë një armë zjarri nga sirtari i banakut. Policia nuk gjeti asgjë, dhe ajo e lajmëroi “rastin” sërish të nesërmen. Duke dyshuar se ajo po gënjente, policia e shoqëroi 38-vjeçaren në stacionin policor.

“Policët e rendit dhe hetuesit e stacionit në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishin nisur hetimin, duke kontrolluar personelin dhe lokalin, mirëpo aty nuk kanë gjetur asgjë. E njëjta prapë e ka përsëritur denoncimin e njëjtë se në këtë lokal ka armë zjarri. Policia edhe me datën 06.09.2022 i kanë kryer kontrollet e nevojshme, mirëpo nuk është gjetur asgjë”, njofton Policia.

“Policia e Ferizajt nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm ka nisur hetimet ndaj personit anonim që ka lajmëruar policinë dhe pas një pune hetimore, hetuesit policor kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarën dhe vendin e ndodhjes së saj, e cila më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit nga hetuesi, Policia thotë se “ajo në tërësi e ka pranuar veprën”.

Me vendim të prokurorit të rastit, ajo është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore dhe ndaj saj është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘’ Lajmërimi, apo kallëzimi i rrejshëm’’.

(Kosova Sot Online )