Marrëveshje në stilin europian, në letrat e Macron e Scholz për Kurtin e Vuçiq s’ka njohje reciproke

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 16:32
Marrëveshje në stilin europian, në letrat e Macron e Scholz për Kurtin e Vuçiq s’ka njohje reciproke

Dialogu me Serbinë duket se do të jetë sfida më e madhe e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, i cili neveritet goxha kur i përmendet fjala “kompromis” në raport me Beogradin. Edhe më pak i gatshëm për kompromis duket presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nga ana tjetër. Por Gjermania dhe Franca thonë së fundmi se Kurti dhe Vuçiq duhet të marrin vendime të vështira. Synohet shpejt arritja e marrëveshjes finale, por njohja reciproke nuk përmendet.

Pas tensioneve në veri të Kosovës dhe pasi NATO paralajmëroi se mund të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, është shtuar angazhimi ndërkombëtar më seriozisht se kurrë më parë për të arritur një marrëveshje Kosovë -Serbi.

Gjermania dhe Franca i konsiderojnë urgjentisht të nevojshëm hapat konstruktivë në nivelin praktik dhe politik, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz s’e përmendën njohjen reciproke në një letër të përbashkët të cilën ia çuan të dielën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por Scholz dhe Macron u thanë atyre se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Krerët e dy shteteve më të fuqishme në Europë kanë angazhuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje direkte përfaqësuesit special të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Po ju adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’ju bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, në mes Kosovës dhe Serbisë”. Kështu shkruajnë Scholz dhe Macron në letrën e përbashkët, të cilën ia dërguan Kurtit dhe Vuçiqit.

Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i ra në sy fakti që Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron s’e kishin shkruar fare “njohjen reciproke” në letër.

“Janë letrat e mëhershme të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, të cilët e kanë precizuar se normalizimi i plotë nënkupton njohjen, pra e ka në qendër njohjen reciproke. Kemi edhe disa pozicione që variojnë si rasti i letrave të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron që nuk e ritheksuan njohjen reciproke, mirëpo unë besoj që po shkojmë drejt njohjes reciproke, pra guxojmë ta kërkojmë dhe ta arrijmë”, tha Haradinaj të martën.

Të deleguarit e Scholz dhe Macron këtë javë në Kosovë dhe Serbi

Këshilltarët e angazhuar nga Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, bashkë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë të premtën.

Siç u shkrua në letër, do të diskutohet gjetja e opsioneve në mënyrë që procesi i dialogut të lëvizë shpejt përpara.

Megjithatë, Haradinaj pret që para vitit të ri, Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen me njohje reciproke.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano konfirmoi se kjo po bëhet në një përpjekje për t’i mbyllur të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Ne, me të vërtetë, duam të bëjmë sa më shumë që të mundemi, për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë të gjitha kompromiset e nevojshme dhe pajtimin për ta çuar dialogun përpara, për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura dhe, përfundimisht, të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, të pranueshme reciprokisht dhe të detyrueshme ligjërisht”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë dhe Serbi, të paktën publikisht, u prit mirë letra e Scholz dhe Macron, ku kërkohen “vendime të vështira”.

Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë. Ai thekson vazhdimisht se marrëveshja përfundimtare duhet ta përmbajë njohjen reciproke. Njohjen e Kosovës, Vuçiq thotë se nuk do ta bëjë kurrë.

(Kosova Sot Online)