Po përgatitet padia kundër Serbisë, Haxhiu: S’mund të jap detaje

  • E.K /
  • 08 September 2022 - 07:56
Po përgatitet padia kundër Serbisë, Haxhiu: S’mund të jap detaje

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deklaroi se Qeveria është duke e përgatitur padinë për krime kundër Serbisë.

“Ne jemi duke punuar për ta paditur Serbinë për krimet që ajo i ka bërë në Kosovë”, tha ajo.

Duke folur lidhur me këtë temë, ministrja Haxhiu tha se padia për krime kundër Serbisë është në kompetencë të zyrës së Kryeministrit.

“Nuk mund të jap detaje, sepse kjo është në kompetencë të zyrës së Kryeministrit. Por është duke u punuar në këtë drejtim. Është formuar edhe instituti për krime. Krimet e luftës nuk mund të amnistohen, dhe kjo s’ka lidhje me dialogun që po zhvillohet me Serbinë”, tha ajo.

E pyetur për prolongimin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Ministrja Albulena Haxhiu tha se procesi prej fillimit ka qenë me probleme.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen qysh në fillim, tani le të shteren të gjitha procedurat ankimore”.

Lidhur me reformat në drejtësi dhe avancimin e legjislacionit, Ministrja Haxhiu bëri të ditur se brenda këtij muaji Kodi i ri Civil, do të procedohet në kuvend.

“Ne besojmë se, do të votohet. Është një dokument shumë i rëndësishëm për vendin. Shpresojmë që deputetët do ta mbështesin! Po flas për shumicën, për disa deputet që të jemi shumë të unifikuar. Ky, është një hap i mirë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Haxhiu.  

(Kosova Sot Online)