Peci: Unë dhe Gërvalla jemi miq me Osmanin – ajo s’ka bërë shkelje kushtetuese

  • E.K /
  • 08 September 2022 - 09:45
Peci: Unë dhe Gërvalla jemi miq me Osmanin – ajo s’ka bërë shkelje kushtetuese

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se nuk ka shkelje kushtetuese fakti që Vjosa Osmani ka pirë kafe me të dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Vjosa Osmani e kishte formuar Listën Guxo, bashkë me Gërvallën dhe Pecin.

Por nga 4 prilli, kur ajo është zgjedhur presidente, Osmani nuk ka të drejtë ta ushtrojë asnjë funksion partiak.

Pas fotografisë së publikuar nga Faton Peci, kishte reagime se Osmani e ka shkelur kushteutën, për faktin se “ajo ende po ushtron ndikim në Listën Guxo”.

Por Peci thotë se ata janë miq, dhe takimi nuk ka qenë partiak.

“Sa i përket fotografisë në kafe, ne jemi miq në fund të fundit. Fotografia është bërë dje në një kafeteri të Prishtinës. Dhe përderisa Presidentja për shkak të Kushtetutës e ka të pamundur me ushtru ndonjë funksion partiak, ajo nuk është shkelje Kushtetuese në rast që me miqtë e saj pi kafe. Nuk besoj që kemi bërë shkelje kushtetuese me pi kafe”, tha Peci.

Fotografia e publikuar nga Faton Peci erdhi si rezultat i raportimeve që deputetja Doarsa Kica-Xhelili do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

(Kosova Sot Online)