Me çfarë sulme kibernetike po përballet Kosova dhe cilat platforma nuk janë duke punuar

  • E.K /
  • 09 September 2022 - 13:12
Me çfarë sulme kibernetike po përballet Kosova dhe cilat platforma nuk janë duke punuar

Pas sulmeve kibernetike me të cilat po përballen institucionet e vendit gjatë ditëve të fundit, tre inxhinierë i kanë ofruar Qeverisë falas ndihmën e tyre për të mënjanuar këto sulme dhe rifunksionalizuar shërbimet publike në vend.

Ka qenë inxhinieri Kastriot Fetahaj, ai i cili e ka ofruar ndihmën.

Sipas Fetahajt, sulmi me të cilin po përballen institucionet e vendit është“A distributed denial-of-service (DDoS)”, që thotë se ka për qellim të paralizoj shërbimet publike të vendit.

“Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë informata se me çfarë lloj sulmi është duke u përballur. Mirëpo, në një analizë fillestare, duket sikur kemi të bëjmë me sulm “A distributed denial-of-service (DDoS)”. Ky lloj sulmi zakonisht ka për qellim të paralizoj shërbimet publike të vendit duke i mohuar qytetarëve të marrin shërbimet e nevojshme dhe në këtë formë duke e pamundësuar funksionimin normal të punës së institucioneve dhe qytetarëve. Sulmet po vazhdojnë tash e sa ditë. Duket se Qeveria po e ka të pamundur t’i ndaloj këto sulme”, ka shkruar Fetahaj.

Postimi i plotë i tij:

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të shumë sulmeve kibernetike që po ndodhin ndaj institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe si pasojë shërbimet jetike për qytetaret – si platforma eKosova – janë jashtë funksionit (siç mund te shihet edhe ne foton me poshtë):

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë informata se me çfarë lloj sulmi është duke u përballur. Mirëpo, në një analizë fillestare, duket sikur kemi të bëjmë me sulm “A distributed denial-of-service (DDoS)”. Ky lloj sulmi zakonisht ka për qellim të paralizoj shërbimet publike të vendit duke i mohuar qytetarëve të marrin shërbimet e nevojshme dhe në këtë formë duke e pamundësuar funksionimin normal të punës së institucioneve dhe qytetarëve.

Sulmet po vazhdojnë tash e sa ditë. Duket se Qeveria po e ka të pamundur t’i ndaloj këto sulme.

Duke marrë në konsideratë këto rrethana, së bashku me kolegun Arber Marleku dhe Endrin Musa, shprehim gatishmërinë që – në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë – të ofrojë ekspertizën dhe eksperiencën tonë profesionale për mënjanimin e këtyre sulmeve dhe rifunksionalizimin e shërbimeve publike në vend.

Nëse Qeveria ka nevojë për ne, tashme adresën e dini.

(Kosova Sot Online)