“Një abetare për popullatën shqiptare”, Rama: Kemi folur me Malin e Zi dhe Serbinë! RMV parimisht dakord

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 10:25
“Një abetare për popullatën shqiptare”, Rama: Kemi folur me Malin e Zi dhe Serbinë! RMV parimisht dakord

Me fjalimin e Dervish Himës në Kongresin e Manastirit Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gjuha shqipe është e rrezikuar për shkak të presionit të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse.

Nisur nga ky kërcënim Rama tha se ka diskutuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit për të futur abetaren e unifikuar për pjesën e popullsisë shqiptare.

“Maqedonia është parimisht gati për të futur abetaren. Kemi diskutuar me Malin e Zi edhe me Serbinë për pjesën e popullatës shqiptare. Është e rëndësishme sot të kujtoni nga u nisëm dhe përsëri edhe në këtë fushë vlen e njëjta gjë. Po të kujtojmë nga u nisëm sot jemi dita me natën. Po të mendojmë ku duhet të shkojmë sot jemi nata me ditën. Kemi shumë për të bërë. Jo se kështu duhet thënë për tu dukur mirë, por sepse kjo është e vërteta.
Mësuesit dhe mësueset ishin skllevër të politikës, nuk mund të vendosnin asgjë për fatin e tyre. Mund të gdhiheshin në një vend pune dhe mund të ngryseshin në një vend tjetër. i gjithë sistemi ishte i bazuar te politika, tesera e partisë dhe heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësimi i tyre, vendosja e figurës në qendër, e ka ndryshuar si ditën me natën situatën e mësuesve”.

Rama apeloi për gjetjen e mënyrave që forcojnë pozicionin e gjuhës në kaosin gjuhësor dhe komunikativ.

“Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapje të Kongresit të dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit një gur themeli që u fokusua te gjuha dhe më pas te arsimi, ne mblidhemi këtu në një Kongres që natyrisht është shumë modest për nga pesha se sa kongresi i manastirit por që në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar. Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesë, por nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë, mjafton të harxhojë secili për të lundruar në gjithë kanalet e informacionet që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Teksa brezi më i ri përfshihet me shpejtësi në rrugën e komunikimit përmes tel celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuar dhe nga ana tjetër kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, por të gjitha gjuhëve që janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama.

“Libri bëhet përherë e më i huaj dhe rrugët e komunikimit bëhen kaotike dhe të pakontrollueshmne. Ajo që është pak por është shumë e sigurt është se sot ne kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip”, deklaroi Rama.

(Kosova Sot Online)