“Vuçiq di të luaj shumë mirë si aktor që mund të kënaqë Moskën dhe Brukselin”

  • E.K /
  • 14 September 2022 - 11:07
“Vuçiq di të luaj shumë mirë si aktor që mund të kënaqë Moskën dhe Brukselin”

E përjavshmja me bazë në Barcelonë “El Temps”i ka kushtuar një artikull arritjes së marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit si dhe situatës aktuale në mes dy shteteve.

Analistë që folën për këtë çështje i thanë kësaj reviste se ndonëse paqja është e pamundur, lufta s’ka gjasa të ndodhë në sfondin e konfliktit që po zhvillohet në Ukrainë.

Marrëveshjen e fundit e cilësuan si të dobishme për Republikën e Kosovës, por në artikull thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të marrë diçka nga BE-ja.

“Kosova, nga marrëveshja e kësaj vere, ka përfituar shumë. Por pse Serbia është dorëzuar? A ishin masat e reciprocitetit shumë të ashpra? A ishte Beogradi i interesuar për të kënaqur BE-në?”, thuhet në artikull. 

Studiuesi i Isntitutit të Barcelonës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (CIDOB), Pol Bargués, thotë se është e vështirë të dihet, por sigurisht që është pjesë e një strategjie gjeopolitike.

 “Nuk jam aspak i befasuar që Vuçiq është dorëzuar: i kushton pak vota për t’i dhënë Kosovës këtë pakt dhe ai e di se nga këtu do të marrë diçka nga BE-ja”, shton Bargues.

Analisti tjetër, ekspert për Ballkanin, Alejandro Esteso, thotë se Vuçiq është një aktor i mirë, i cili “do që ta shesë veten si një aktor që mund të kënaqë Moskën dhe Brukselin”

“Unë mendoj se ai di ta luajë shumë mirë këtë dualitet dhe ta shesë veten si një aktor që mund të kënaqë Moskën dhe Brukselin. Serbia ka mbështetjen e Rusisë dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian nuk është aq i ashpër sa mund të ishte”, shpjegon Esteso.

Ai paralajmëron për këtë mosndëshkim të rrezikshëm të liderit serb, “të justifikuar” nga BE-ja.

“Serbia po bie në autokraci dhe Vuçiq po përfiton nga kjo situatë”, ka thënë ai.

Sipas Bargués, arritja e marrëveshjes është një lajm i mirë për rajonin.

“Duket se po ndërmerren hapa drejt stabilitetit dhe drejt normalizimit të këtyre marrëdhënieve”, thotë ai.

Përveç kësaj, ai shton se marrëveshja është veçanërisht e rëndësishme, “sepse është e para mes këtyre dy liderëve – Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, dy liderë shumë të fortë”.

Megjithatë, Bargués kujton se për momentin marrëveshja është gojore dhe jo e shkruar dhe se Vuçiq ka theksuar se nuk do të thotë se ai njeh sovranitetin e Kosovës.

(Kosova Sot Online)