Miratohet raporti për Kosovën, Vuçiq i trishton pak serbët: Pres vitin më të vështirë që nga LDB

  • E.K /
  • 15 September 2022 - 10:10
Miratohet raporti për Kosovën, Vuçiq i trishton pak serbët: Pres vitin më të vështirë që nga LDB

Pas dy ditësh diskutime që zgjatën gjithsej 25 orë, deputetët e Kuvendit të Serbisë me 148 vota pro dhe 57 kundër votuan një raport për negociatat me Kosovën.

Dokumenti ishte i titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që dje u ankua se nuk po votohet ky raport, sot tha se Serbia po përballet me “një periudhë shumë të vështirë”.

“Askush nuk na pëlqen sepse ne udhëheqim një politikë të pavarur. Askujt nuk i pëlqen kjo. Unë u jam mirënjohës të gjithë deputetëve, pavarësisht se nuk arritëm të arrijmë marrëveshje elementare as për raportin”, shtoi Vuçiq

Ai tha se në të ardhmen shpreson se do të merret më mirë vesh me opozitën, duke shtuar se ka frikë që se “situata në terren do të na detyrojë ta bëjmë këtë”.

Vuçiq u ka dërguar falënderime serbëve të Kosovës për, siç tha, mirëkuptimin që kanë treguar se ai s’ka shkop magjik dhe se nuk ka zgjidhje të lehta, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.

Por, këtu ai s’pati një mesazh të mirë për serbët.

Vuçiq theksoi se e pret vitin më të vështirë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, derisa paralajmëroi se do të ketë presione të jashtme të “një kategorie më të rëndë” kur bëhet fjalë për Kosovën.

Gjithashtu, ai tha se do të mund të flasë më shumë për këtë kur të kthehet nga New York nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

(Kosova Sot Online)