“Lirim sa më të shpejtë”, “35 vjet burgim”, tash Gjykatës Speciale i mbetet të vendosë për Mustafën

  • E.K /
  • 15 September 2022 - 15:29
“Lirim sa më të shpejtë”, “35 vjet burgim”, tash Gjykatës Speciale i mbetet të vendosë për Mustafën

Palët i thanë fjalët e tyre përmbyllëse, ndërsa sot Prokuroria dhe Mbrojtja po i shkëmbejnë argumentet në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Julius von Bone, avokati i Salih Mustafës, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë po përpiqet t’i ndryshojë dëshmitë në mënyrë që, sipas tij, ato të përshtaten me argumentet e Prokurorisë. Ndërsa në fillim të kundërpërgjigjes, prokurori Cezary Michalczuk tha se interesi i dëshmitarëve të Mbrojtjes ishte në kontrast me ata të Prokurorisë. Sipas tij, dëshmitarët e Prokurorisë po kërkonin drejtësi pas 23 vitesh.

“Mbrojtja kërkon shpallje jo fajtor të Z. Mustafa për të gjitha akuzat për të cilat ai akuzohet. Ai nuk e ka kryer asnjë krim asnjëherë. Ai e ka vendosur vetën e vet në rrezik për shumë njerëz ndërkohë që i shërbente objektivit të përgjithshëm të të gjithë popullit të Kosovës, që ishte fitimi i pavarësisë për njerëzit që kishin luftuar për të qenë të lirë, për një periudhë të gjatë kohore”, ka thënë paraprakisht Von Bone.

Ai madje tha se klienti i ti duhet të lirohet sa më shpejt nga paraburgimi.

Në fjalën e saj përmbyllëse, Prokuroria publikoi fotografi e citoi deklarata të dëshmitarëve, ndërsa kërkoi dënim me 35 vjet burgim për Salih Mustafën.

Fjalët përmbyllëse në rastin e Salih Mustafës, i akuzuar për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në prill të vitit 1999 filluan të martën.

Fjalën përmbyllëse, në të cilën propozuan dënim të gjatë me burgim për Mustafën, Prokuroria e prezantoi të martën prokurorët, ndërsa dje,(e mërkurë), fjalët përmbyllëse i thanë Mbrojtja e Mustafës dhe Përfaqësuesi i viktimave.

Gjykimi ndaj Mustafës zgjati deri më 20 qershor të këtij viti. Prokurorët nxorën 14 dëshmitarë në seancat gjyqësore, ndërsa 15 dëshmitarë dëshmuan në mbrojtje të Mustafës.

Në proces morën pjesë edhe tetë persona si viktima të Mustafës, të cilët sipas rregullave të gjykatës kanë të drejtën e kompensimit nëse Mustafa shpallet fajtor.

Mustafa akuzohet, në katër pika, për privim arbitrar të lirisë, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të shqiptarëve në një pikë ndalimi të UÇK-së në fshatin Zllash (rreth 20 kilometra larg Prishtinës) në prill të vitit 1999.

Tani, Gjykatës Speciale i mbetet ta caktojë një datë për shpalljen e aktgjykimit.

(Kosova Sot Online)