“Me Kurtin e Vuçiqin po flasim gati çdo ditë – duhet urgjentisht marrëveshje”, emisarët japin detaje për bisedimet

  • E.K /
  • 17 September 2022 - 13:37
“Me Kurtin e Vuçiqin po flasim gati çdo ditë – duhet urgjentisht marrëveshje”, emisarët japin detaje për bisedimet

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që normalizon raportet mes Kosovës dhe Serbisë është urgjente meqë “status quo-ja s’është e qëndrueshme”.

Lajçak njoftoi gjithashtu se flet gati çdo ditë me udhëheqësit e të dyjave vende për të shmangur tensione më të mëdha dhe për t’i nxitur ata që të flasin më shumë rreth “tablosë më të gjerë”.

“Ajo që mund të them është se një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi është urgjente sepse status quo-ja nuk është e qëndrueshme – është koha për ta çuar këtë proces në një përfundim të suksesshëm. Dialogu zhvillohet nën patronazhin e BE-së, por të dyja palët kanë pronësi të barabartë mbi të. Në të gjitha negociatat për çështje të vështira, të dyja palët do të marrin disa nga ato që duan dhe do të duhet të bëjnë kompromis për çështje të tjera dhe të dyja do të duhet të pranojnë marrëveshjen”, tha Lajçak për Kurir.

Ngjashëm është deklaruar edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se dy shtetet duhet të ndjekin diskursin që Kosova dhe Serbia janë Europë dhe të shikojnë drejt mundësive që i sjell shekulli 21.

“Mendoj se duhet të largohemi nga narrativa se Kosova është Serbia dhe të shkojmë drejt narrativës se Kosova dhe Serbia janë Europë. Dhe kështu, ju keni një të ardhme të përbashkët dhe ajo e ardhme po largohet me shpejtësi nga problemet e viteve nëntëdhjetë dhe po shkon shpejt drejt mundësive të shekullit të 21-të. Për këtë rajon, shekulli i 21-të do të jetë shekulli i mundësive ekonomike, do të jetë ai në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet shtytës i rritjes për Europën, për të gjithë kontinentin”, u deklarua Escobar në intervistën e përbashkët me Lajçak.

Dy emisarët vunë në dukje se Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen Bashkimit Europian vetëm duke arritur te një marrëveshje që del nga procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga vetë Unioni.

“Të mos harrojmë se procesi i normalizimit është i lidhur me rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë – nuk do të ketë anëtarësim në BE për asnjë palë pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe palët e dinë këtë. Anëtarësimi në BE është një synim strategjik i Kosovës dhe i Serbisë dhe jam i bindur se progresi në dialog do të jetë përfundimisht i pashmangshëm dhe fakti që të dy liderët tani janë gati të takohen rregullisht në Bruksel është një shenjë e përkushtimit të tyre për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve”, tha Lajçak.

Derisa Escobar tërheq vërejtjen se duhet pasë parasysh se procesi i integrimit është një detyrë jashtëzakonisht komplekse, por edhe e rëndësishme.

“Çdo vend që u bashkua me Bashkimin Europian është më demokratik, më i qëndrueshëm, më i begatë dhe më paqësor….Unë personalisht do të doja që ai proces të ecte shumë më shpejt”.

Emisari amerikan shtoi se Bashkimi Eropian duhet të gjejë mënyra për të sinjalizuar se dyert e Europës janë ende të hapura për dy shtetet ballkanike.

Ai gjithashtu tha se edhe liderët e rajonit kanë gjithashtu përgjegjësinë e tyre për të qenë në gjendje të kryejnë reformat demokratike që janë të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

(Kosova Sot Online)