Këshilltari i kryeministrit çek: Ballkani i Hapur mund të keqpërdoret nga predatorët e mëdhenj kundër të vegjëlve

  • E.K /
  • 19 September 2022 - 12:04
Këshilltari i kryeministrit çek: Ballkani i Hapur mund të keqpërdoret nga predatorët e mëdhenj kundër të vegjëlve

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Tomas Pojar, ka thënë se “Ballkani i Hapur” mund të shkojë në dëm të vendeve më të vogla. Ai tha për gazetën malazeze, Pobjeda se “ndonjëherë, besimi në idetë e paketuara bukur është i tillë që nuk ka përceceptim se si do të zbatohen”.

Këshilltari kryesor i kryeministrit të Republikës Çeke, Petr Fiala, theksoi se fqinjtë “supozohet ta ndihmojnë njëri-tjetrin”, por tha se “ndonjëherë bashkëpunimi mund të jetë sfidues ose i pamundur”.

“Natyrisht, ne duhet të përpiqemi për stabilitet, por fqinjtë duhet të sillen siç duhet dhe nuk duhet të ketë synime grabitqare ndaj fqinjve. Vendi duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur angazhohet në forma të ndryshme bashkëpunimi sepse ndonjëherë edhe idetë e mira mund të keqpërdoren dhe atëherë nuk janë mënyra më e mirë për të përparuar. Kështu mund të ndodhë me “Ballkanin e Hapur” ku predatorët e mëdhenj do të abuzojnë me këtë iniciativë kundër atyre më të vegjël e më të dobët”, theksoi Pojar.

E shpjegove mirë, por atëherë pse kjo nismë e ka mbështetjen e SHBA-së, por edhe të pjesëve të BE-së? Kjo ishte pyetja që pasoi.

“Unë me të vërtetë nuk mund t’i komentoj qëndrimet e SHBA-së, vendeve individuale të BE-së apo zyrtarëve. Por ndonjëherë besimi në idetë e paketuara bukur është i tillë që nuk ka perceptim të saktë se si do të zbatohen. Ja se çfarë pritshmërish kishin disa vende nga Putini në 30, 10 vitet e fundit apo që nga viti 2014. Është mirë të jemi optimist dhe të besojmë se nëse bashkëpunojmë gjithçka do të jetë mirë, por mund të abuzohet nga grabitqarët e vërtetë. Pra, është mirë të besojmë se gjithçka do të përfundojë mirë, por ne duhet ta përshtatim atë besim me realitetin”, tha Pojar.

(Kosova Sot Online)