Krejt çka dihet për atentatin e planifikuar ndaj kryeministrit Kurti, Halitit dhe Haxhës

  • E.K /
  • 20 September 2022 - 07:50
Krejt çka dihet për atentatin e planifikuar ndaj kryeministrit Kurti, Halitit dhe Haxhës

Media A2 ka raportuar të hënën se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, deputetit të PDK-së Xhavit Haliti dhe ish-komandantit të UÇK-së Ismet Haxhës. Zyra e kryeministrit Kurti ka konfirmuar se për atentatin e planifikuar ndaj tij, kryeministri Kurti ishte informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

I kontaktuar deputeti Xhavit Haliti tha se ka pas paralajmërime nga policia për atentat ndaj tij, por thekson se situatat si kjo ai i ka “të rregullta”.

“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëru edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta”, tha Haliti.

Përveç paralajmërimeve për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, dhe deputetit Xhavit Haliti, në listë për t’u vrarë ishte edhe Ismet Haxha.

Ai ka thënë se ishte njoftuar nga Policia e Kosovës, por edhe nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës, se jeta e tij ishte në rrezik.

“Para 6 muajsh më patën treguar policia dhe shërbimi informative”, ka thënë Haxha në një deklaratë.

Haxha ka deklaruar se pavarësisht këtij rasti, ai kurrë nuk kishte kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës.

“Kujt borxh nuk i kam, nuk kam pse të fshihem nga askush”, ka thënë ai ndër të tjera.

Në një dokument të bërë publik të hënën nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano, theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj figurave të përmendura më lartë.

Sipas këtij raportimi i dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.

Gjithsesi, zyra e kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, tha se se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së, transmeton Gazeta Express.

Sipas ZKM-së, “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani, tha në Frontal të T7 se informata për një plan për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka mbetur “në nivel të informatës”.

“Ka qenë një informatë e inteligjencës. Vlerësimi ose analiza e informatës nuk e kam të qartë se deri në cilin nivel ka shku, se sa është bërë verifikimi i informatës. Mirëpo ajo prapë – nëse e këqyrim në apektin profesional – ka mbetë në nivel të informatës me vetë faktin se nuk ka pasur veprime”, tha Sopjani.

Personi që dyshohet se kishte planifikuar ta vriste Kurtin është i lirë, dhe Sopjani thotë se çfarë do të duhej të kishte ndodhur që ai të arrestohej.

“Kjo na jep me kuptu që nuk ka pasë veprime konkrete që nuk ka pasë veprime konkrete që janë ndërmarrë për t’u bërë ai sulm”, tha Sopjani.

(Kosova Sot Online)