Presidenca tregon çka bisedoi Osmani me sekretarin e NATO’s

  • E.K /
  • 22 September 2022 - 09:35
Presidenca tregon çka bisedoi Osmani me sekretarin e NATO’s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa theksoi se qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.

Osmani tha se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, citohet të ketë thënë presidentja.

Po ashtu Osmani tha se këtij hapi duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, presidentja Osmani tha se  Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në këtë drejtim, Osmani ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj.

(Kosova Sot Online)