Kosova duhet t’i arrestoj urgjentisht bandat në veri

Kosova duhet t’i arrestoj urgjentisht bandat në veri
Kosova duhet t’i arrestoj urgjentisht bandat në veri

Dr. Hysni Aliu

  • 22 September 2022 - 07:37

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

Siç po duket marrëveshjet me Serbinë që po bëhen me ndërmjetësimin e BE së, sikur këto të fundit, janë të dënuara paraprakisht të dështojnë, nëse qeveria e Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk janë të gatshëm që ato marrëveshje ti realizojnë në praktike me ndihmën e policisë së Kosovës.

Kjo që po ndodhë me këto marrëveshje si ajo për energji dhe ajo për tabelat e automobilave është me të vërtetë shqetësuese, fyese për shtetin tonë dhe bashkësinë ndërkombëtare, por edhe e dëmshme dhe e rrezikshme edhe për qytetarët serb të Kosovës që janë të gatshëm të paguajnë rrymën e shpenzuar apo të konvertojnë tabelat nga ato të Serbisë në të Kosovës por që kërcënohen e pengohen nga shteti Serb.

-Për mendimin tim qeveria Kurti dhe miqtë ndërkombëtar me të cilët po bashkëpunon, po bëjnë gabim që për disa gjëra po përshtaten në botën kriminale të Vuçiqit. Të njëjtën e bënë qeveritë e mëhershme, dhe si rrjedhojë marrëveshjet e miratuara para 10 viteve ende nuk zbatuan në praktikë, pikërisht për arsye që Serbia po bënë marrëveshje sa për të bërë marrëveshje, duke mos i zbatuar ato e pastaj duke kërkuar dialog të ri për të njëjtën marrëveshje e duke marr koncesione të reja e pastaj serish dialog të ri për të njëjtën çështje e serish koncesione të reja.

Së pari është tepër joserioze të heshtësh për moszbatimin e marrëveshjes për energji, pasi ka pas dakordim për çdo hap në këtë drejtim me datë e ditë. Serbia e bëri të ligjshëm Elektroseverin në Kosovë, pra atë që i interesonte me vite, ndërsa kur erdhi koha e çështjeve tjera që i nevojiteshin Kosovës, ata e bllokuan çdo gjë, ndërsa qeveria jonë thotë që ne nuk po mundemi të intervenojmë sepse serbët atje lidhen automatikisht me sistemin elektro energjetik të Serbisë. Pra a do të thotë kjo që ne edhe njëqind vite duhet të ua paguajmë rrymën serbëve të Kosovës vetëm që ata të mos lidhen me Serbinë!? Përse shteti të pranon një shantazhim të tillë?!

Çështja e dytë është kjo e konvertimit të tabelave ilegale që i lëshon Serbia në emër të Kosovës, në tabela RKS. Si është e mundshme që një popullatë të tërë në veri ti kërkohet ky ndryshim, ndërsa në anën tjetër lejohen bandat e Vuçiqit ti terrorizojnë serbët atje duke ua djegë shtëpitë apo edhe automjetet secilit që guxon të bënë këtë konvertim. A është kjo një padrejtësi e madhe që po bëhet ndaj serbëve lojal të Kosovës nga qeveria por edhe nga faktori ndërkombëtar që besoj po e ndalë qeverinë Kurti së vepruari kundër bandave të Radoiqiqit, duke kërkuar ndryshimin nga ta por në të njëjtën kohë duke i lënë bandat e Vuçiqit me i terrorizua popullatën atje.

Si mundesh ti thuash dikujt ndërroj tabelat, kurse e din që aty mbi kokë ju rrinë xhelati që ju thotë nëse i ndërron të shkon koka ashtu siç i shkoj Oliver Ivanoviqit.

Unë kam një lutje për qeverinë Kurti, që të ja heq licencën Elektroseverit nga Serbia dhe të përdorë të njëjtin sistem të faturimit që përdorë në viset tjera të Kosovës, dhe ky ndryshim duhet të bëhet me çdo kusht sepse Serbia e din vetëm gjuhën e forcës.

Kurti nuk guxon të pranoj lojën e Vuçiqit, nënshkruaj e mos e zbato, sepse ashtu ju ngjan kryeministrave paraprak.

Shteti i Kosovës, duhet ti arrestoj bandat në veri që po djegin shtëpitë dhe automjetet e serbëve atje në mënyrë që ata mos të ndihen të kërcënuar dhe të kenë mundësinë ti konvertojnë automjetet në RKS, në të kundërtën është jonjerëzor presioni ndaj Serbëve dhe masat ndëshkuese ligjore ndaj tyre nëse nuk e bëjnë këtë konvertim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".