Nagavci: Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë Dr. Belul Beqaj

  • A.P /
  • 25 September 2022 - 17:40
Nagavci: Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë Dr. Belul Beqaj

Sot në mëngjes në moshën 65 vjeçare ka vdekur Belul Beqaj. Vdekja e tij ka tronditur basketbollin e Kosovës.

Ai ishte kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës nga pas lufta e deri në vitin 2006.

Beqaj ishte autor i dhjetëra punimeve publicistike-shkencore dhe pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me pikëllim të thellë e kanë marrë lajmin për vdekjen e Belul Beqajt.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin se ka ndërruar jetë profesori universitar, Dr. Behlul Beqaj”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci theksoi se Beqaj kishte dhënë kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja.

“Profesori Beqaj dha kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja, duke u bërë një nga figurat e rëndësishme të arsimit universitar që me përkushtim e kreu këtë mision fisnik dhe mbeti në kujtesën tonë përgjithmonë”, theksoi e para e Arsimit.

“Vepra e profesorit Beqaj edhe në publicistikë, hulumtime shkencore dhe analiza politike, do t’iu mbetet gjeneratave si një nga resurset e vlefshme, ashtu sikur edhe kontributi në fushën e artit dhe sportit”.

“Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Beqaj, miqve, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe të gjithë atyre që e njohën!”.

(Kosova Sot Online)