Një shkollë në Prishtinë e tha fjalën e saj, SBASHK’u po i pret përgjigjet tjera për grevën

  • E.K /
  • 29 September 2022 - 12:23
Një shkollë në Prishtinë e tha fjalën e saj, SBASHK’u po i pret përgjigjet tjera për grevën

Pasi kërkesat e tyre nuk iu plotësuan, SBASHK-u lëshoi pe. Përmes një komunikate, sindikata dje njoftoi se i është drejtuar anëtarësisë me propozimin që ta pezullojnë grevën deri në janar, e mësimi të fillojë qysh prej të hënës që vjen.

“Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, thuhet në komunikatën e djeshme.

Lidhur me këtë, media ka kontaktuar me kryetarin e Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Reshit Kushaj.

Ai tha se janë në pritje të përgjigjeve se si do të vendosin anëtarët – për pezullim apo jo të grevës.

“Kemi lëshuar një shkresë që Bashkësia Sindikale na sugjeron ‘çka më tutje, me pezullu, me vazhdu grevën, me përdorë mjete tjera të veprimit sindikal’. Ne jemi në pritje të përgjigjeve prej tyre dhe mendoj që gjatë vikendit do të japim informatat për temën e grevës”, tha ai.

Derisa u pyet për përgjigjet që i kanë pranuar deri tani nga anëtarët, Kushaj refuzoi të japë detaje.

Përgjigje ndaj pyetjes së SBASHK-ut, deri më tani kanë dhënë mësimdhënësit e gjimanzit “Sami Frashëri” në kryeqytet.

Ata kanë vendosur që ta vazhdojnë grevën. Këtë e ka konfirmuar kryetarja e sindikatës së shkollës, Ajshe Zogjani.

“Ne sot e kemi mbajt një mbledhje meqenëse dje e kem mbajt në Sindikatë mbledhje për me marrë mendimin e kolektivit, me shumicë votash u vendos që greva të vazhdoj deri në gjetjen e një zgjidhje të përshtatshme”, tha ajo.

“Me shumicë votash u vendos që greva të vazhdoj. Dje në mbledhjen që kemi mbajt në sindikatë e Prishtinës diku mbi 90 për qind e shkollave ishin për me vazhduar greva”, shtoi ajo.

SBASHK-u dje tha se do të vazhdojnë të kërkojnë përmbushjen e këtyre kushteve: Mbështetje shtesë të pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike përfshirë shkallën e inflacionit, plotësim ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse dhe plotësim ndryshimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.

(Kosova Sot Online)