Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dënohet me 2 vjet burg

  • E.K /
  • 03 October 2022 - 14:24
Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dënohet me 2 vjet burg

Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri sërish u shpallën fajtorë nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bekteshi u dënua me 2 vjet burgim ndërsa Tahiri u dënua me 3 vjet burgim. Po ashtu si dënim plotesues iu shqiptua ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike dhe u obliguan që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë shumën prej 29,828 euro.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se derisa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R. që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si ushtrues i detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erëza Arifi. Në aktakuzë thuhet që asaj i ishte kërkuar ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 02.05.2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 29.04.2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.

Lidhur me këtë rast Gjykata e Prishtinës, Bekteshin e Tahirin i ka shpallur fajtorë për veprën për të cilën janë akuzuar, por që rasti është kthyer në rigjykim.

(Kosova Sot Online)