Këshilli i Europës e mban konfidenciale agjendën, Serbia thotë se hoqi nga agjenda pranimin e Kosovës

  • E.K /
  • 05 October 2022 - 12:26
Këshilli i Europës e mban konfidenciale agjendën, Serbia thotë se hoqi nga agjenda pranimin e Kosovës

Serbia po dëshiron t’iu zë udhën aspiratave të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Europës pas aplikimit zyrtar të saj në mesin e majit të këtij viti. Institucionet kosovare u zotuan se do të bindin shtetet anëtare që Kosova të arrijë të bëhet shtet anëtar pas përjashtimit të Rusisë në organizatën europiane për të drejtat e njeriut. Nga ana tjetër, zotim për të penguar Kosovën që t’i bashkohet Këshillit të Europës dha edhe Serbia. Misioni diplomatik serb në Këshill të Europës sot i ka thënë mediumit publik serb se “përpjekjeve intensive” ka arritur që të parandalojë futjen e Kosovës në rend dite të Komitetit të Ministrave të KiE. Megjithatë, për shkak të procedurave kjo gjë s’ishte e sigurt.

Për këtë ka folur për Express zëdhënësi për media i Këshillit të Europës, Dusan Vojnovic, i cili tha se pikat e diskutimit të këtyre takimeve janë konfidenciale.

“Ne dëshirojmë t’ua bëjmë me dije faktin se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, ka thënë shkurt Vojnovic.

Ai tha se në terma më të përgjithshëm, procedurat për t’u bërë anëtar të Këshillit të Europës janë të përcaktuara në Statutin e KiE dhe në Rezolutën Statutore që përcakton rolin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në proces.

Sot në mëngjes mediumi publik serb publikoi një pretendim të ambasadores së Serbisë në Këshill të Europës, Aleksandra Gjuroviq, e cila tha se ka kërkuar nga shtetet anëtare që kjo pikë të mos përfshihet në takim.

“Për momentin, kemi hasur në mirëkuptimin e shumicës së vendeve anëtare se kjo nuk duhet të jetë në rendin e ditës”, ka thënë Gjuroviq.

Ajo vazhdoi të thoshte se edhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë “të vetëdijshëm se nisja e procedurës për anëtarësimin e një entiteti të panjohur, i cili nuk mund të konsiderohet shtet europian nuk plotësojnë nenin 4 të Statutit të Bashkimit Europian, në fakt përpunimi i një kërkese të tillë do të hapte kutinë e Pandorës për disa situata të ardhshme që mund të lindin”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, më 12 maj ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës në Strasburg.

(Kosova Sot Online)