Si të kursejnë qytetarët e Kosovës, që alternativë të vetme për ngrohje e kanë rrymën?

  • E.K /
  • 06 October 2022 - 10:50
Si të kursejnë qytetarët e Kosovës, që alternativë të vetme për ngrohje e kanë rrymën?

Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka ngritur shqetësime tek qytetarët, sidomos në sezonin e vjeshtës kur temperaturat kanë filluar të bien dhe po shfaqet nevoja për ngrohje brenda ambienteve për banim.

Andaj, shumëkush po e konsideron kthimin te alternativa e vjetër – ngrohja me djegien e drunjve, por edhe kjo është e kushtueshme, sidomos tani që një metër dru kushton 75 euro në kryeqytet.

Ngrohja me thëngjill duket si opsioni më i lirë, duke e pasur parasysh se Kosova është e pasur me këtë mineral, edhe pse djegia e tij është e dëmshme për ambientin. Por kur i ftohti të arrijë, ruajtja e ambientit nuk do të jetë një prej shqetësimeve primare.

Sidoqoftë, për një numër të madh qytetarësh që banojnë në ndërtesa dhe që nuk janë të lidhur me Termokos-in, si alternativë e vetme për ngrohje iu mbetet rryma – sado e kushtueshme që është.

Duke e vërejtur këtë, më 14 shtator qeveria ka marrë vendim për masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike.

“Përderisa fokusi ynë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike, ulja e konsumit të energjisë në vend është kritike për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit”, shkruan në njoftimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit.

Janë mbi 20 masa të cilat janë të detyrueshme për sektorin publik, institucionet publike qendrore dhe lokale, si dhe për ndërmarrjet publike.

Ministrja Rizvanolli edhe sot do të mbajë konferencë për media në lidhje me masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët. Mbetet të shihet se cilat do të jenë masat që kjo ministri i ka paraparë për qytetarët.

Por, me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe me temperaturat që kanë filluar të bien në fillim të vjeshtës, duket se do të jetë një dimër i ftohtë për Kosovën.

(Kosova Sot Online)