E enjtja, ditë e shpresës për Kosovën: Merret vesh për vizat

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 08:17
E enjtja, ditë e shpresës për Kosovën: Merret vesh për vizat

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

E çështja e liberalizimit të vizave, rrjedhimisht dokumenti i Komisionit Evropian do të jetë temë diskutimi në Këshill më 13 tetor në Bruksel.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke thënë se shpreson që Kosova më në fund do të marrë liberalizimin e vizave.

“Liberalizimi varet nga gjithsecili vend i BE-së që t’i jap fund skepticizmit sepse nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin e vizave…

Ne nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër sepse nuk kemi”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti gjatë seminarit të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Ai ka shtuar se Kosova është vendi më pro evropian, më pro NATO-s dhe demokratik në 6-en e Ballkanit Perëndimor.

E gjatë një raportimi në Komisionin për integrime evropiane javën e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot në Komisionin për Integrime Evropiane bëri të ditur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë pika e pestë e agjendës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 13 tetor.

Bislimi theksoi se Kosova ka dërguar në Komisionin Evropian një raport prej 33 faqesh, nga i cili Komisioni ka përgatitur tashmë një rivlerësim të progresit në Kosovë nga 2018 e tani dhe do t’ia shpërndajë vendeve anëtare të BE-së.

“Sa i përket liberalizmit të vizave me sa e di është pika e pestë e agjendës së takimit të ardhshëm të Grupit punës që mbahet më 12 dhe 13 tetor. Pika për Kosovën do të jetë në agjendë, do të jetë më 13 tetor. Për ta vendosur në agjendë këtë temë disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar një rifreskim, rivlerësim të raportit të Komisionit Evropian për atë se çfarë progresi ka pasur Kosova nga viti 2018, kur ka qenë vlerësimi i fundit e deri tani”, tha zëvendëskryeministri.

Ai tha se lidhur me këtë stafi i tij me departamentet e integrimeve evropiane kanë përgatitur një input prej 33 faqesh që ia kanë dërguar Komisionit Evropian.

“Nga ky cili nga ky material Komisioni Evropian ka përgatit një raport të shkurtër të rivlerësimit që nesër i shpërndahet vendeve anëtare dhe javën tjetër diskutohet në mbledhjen e përbashkët”, ishte shprehur Bislimi.

“Hapi i parë është ky, pastaj janë edhe pesë të tjerë. Ne shpresojmë se këto hapa mund të përmbyllen në një periudhë relativisht të shkurtër të shkurtër, por është e padobishme të dalim me datë kur do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Por regjimi i vizave i ka kushtuar shumë qytetarëve të Kosovës. Kosovarët kanë shpenzuar 89 milionë euro për pajisjen me vizë Schengen.

Megjithëse ka dhjetë vjet pas fillimit të dialogut për viza dhe katër vjet nga zbatimi i standardeve, Kosova është ende në pritje të një regjimi pa viza me BE-në.

Ka sinjale pozitive nga BE-ja për të përmbyllur procesin e shumë vonuar të liberalizimit për Kosovën. Javët në vijim janë vendimtare. Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave optimistë janë shprehur edhe qytetarët e Kosovës.

(Kosova Sot Online)