Lavrov sërish tenton t’i barazojë aneksimet e territoreve ukrainase me rastin e Kosovës

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 10:24
Lavrov sërish tenton t’i barazojë aneksimet e territoreve ukrainase me rastin e Kosovës

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, është kapur sërish me rastin e Kosovës në lidhje me referendumet e rreme të organizuara në rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, Donetsk, Luhansk, Zaporozhye dhe Kherson.

Në një intervistë për gazetën ruse “Argumenty i Fakty”, ka thënë se rasti i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka vendosur precedent.

“Çështja nëse referendumet janë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Ukrainës nuk ndikon në kualifikimin e tyre sipas ligjit ndërkombëtar. Kujtojmë vendimin e vitit 2010 për Kosovën të miratuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sipas këtij vendimi, një territor nuk e ka për detyrë t’u drejtohet autoriteteve qendrore të vendit të tij për leje për të shpallur sovranitetin e tij kur zbaton të drejtën e tij për vetëvendosje. Kjo krijoi një precedent”, u shpreh Lavrovi në këtë intervistë.

Ai tha se “partnerëve tanë të huaj”, duke iu referuar Serbisë dhe Kazakistanit, do t’u duhet kohë të kuptojnë realitetet e reja gjeopolitike.

“Ne nuk do të detyrojmë askënd të nxitojë. Prioriteti ynë është zbatimi i rezultateve të votës së lirë në territoret e çliruara në përputhje me normat themelore të së drejtës ndërkombëtare, në radhë të parë të drejtën e popullit për vetëvendosje”, deklaroi kryediplomati rus.

Lavrovi u shpreh se rusët dhe rusisht-folësit në territorin e Ukrainës janë përballur me “shtypje të ashpër” nga “regjimi i Kievit pas grushtshtetit të vitit 2014”.

“Është e qartë se autoritetet në Kiev nuk përfaqësojnë popullin e Donbassit dhe rajoneve Zaporozhye dhe Kherson”, theksoi Sergey Lavrov.

(Kosova Sot Online)