Prevalla, Boga e Rugova me pagesë – Kur do të merret vendimi për aplikimin e taksës?

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 11:37
Prevalla, Boga e Rugova me pagesë – Kur do të merret vendimi për aplikimin e taksës?

Janë bërë mbi 3 vjet që kur është dhënë ideja që hyrja në Bogë, Rugovë e Prevallë, të bëhet me pagesë, ashtu sikurse në Brezovicë. Laurat në hyrje të parqeve janë vendosur, por aplikimi i taksave s’ka filluar ende. Për arsyet pse është dhënë një ide e tillë dhe taksat, kanë folur nga Ministria e Mjedisit dhe ish-Ministri Fatmir Matoshi.

Hyrjen me pagesë sikurse në Brezovicë, Shteti po planifikon ta aplikojë edhe për Bogën, Rugovën e Prevallën. Në këtë formë, po tentohet të parandalohen ndërtimet pa leje, prerja ilegale e pyjeve dhe gjuetia.

Ideja për aplikimin e këtyre pagesave është dhënë tash e tri vjet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.

Nga Ministria e Mjedist, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se deri tash s’janë aplikuar pagesat për hyrje në këto parqe.

Bajram Kadriu nga Zyra për Media në MMPHI ka thënë se për kohën e aplikimit të takës do të vendos Ministria apo Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

“Duke iu referuar emailit tuaj ju njoftojmë se Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare “Sharri” si dhe DAPK ”Bjeshkët e Nemuna” deri me tani nuk kemi aplikuar taksë për hyrje në Parkun Kombëtar. Për kohen e fillimit për aplikimit të taksës vendos MMPHI/AMMK”, ka thënë Kadriu.

Sipas Kadriut, ende nuk është përcakuar shuma e pagesës që do të duhet ta paguajnë ata që ua mësyjnë këtyre parqeve.

Por, sipas një tabele të çmimeve që kishte siguruar Gazeta Express para tri vjetëve, propozohej që çmimet për hyrje dhe vizita gjatë një dite në këto parqe të fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.

Për fëmijë të moshës 10 deri 18-vjeçare hyrja do të kushtonte 50 centë në ditë, 1 euro persona të rritur,  1 euro për automjete dhe motoçikleta, 2 euro për furgon dhe tri euro hyrja me autobus dhe kamionë.

Kurdo që fillohet me aplikimin e këtyre pagesave, disa kategori s’do të kenë nevojë të paguajnë.

“Bazuar në Vendimin nr. 2672/22 të dt. 12.05.2022, komuniteti lokal, personat fizik që kryejnë veprimtari në parkun kombëtarë, invalidët e luftës, personat me aftësi të kufizuar, familjarët e ngushtë të dëshmoreve të luftës (prindit, bashkëshortja dhe fëmijët) dhe pensionistët janë të liruar nga pagesa”, ka deklaruar Kadriu.

Të pyetur nëse kanë bërë ndonjë përllogaritje për shumën e parave që do të mblidhej brenda një vit inga këto pagesa, Kadriu s’ka përmendur ndonjë shifër, vetëm ka treguar se nga aplikimi i pagesave në Brezovicëm për tre muaj janë mbledhur të hyra mbi 20 mijë euro.

Këto të hyra thotë se i kanë dorëzuar në buxhetin e Shtetit.

“Gjatë viteve të fundit me aplikimin e pagesave në hyrje të qendrës turistike në Brezovicë, mesatarisht për një sezonë dimërore rreth tre muaj aplikim janë krijuar të hyra mbi 20,000 mijë euro të cilat janë dorëzuar në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kadriu.

Ish-Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në kohën e të cilit ishte përmendur që këto zona të bëhen me pagesë, ka treguar se ideja për vendosjen e laurave nëpër hyrjet e parqeve të vendit ka qenë e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë(AMMK).

Në vitin 2019 kishte filluar vendosja e këtyre laurave, pot thotë se kjo ishte kundërshtuar nga banorët, Komuna e Pejës dhe organizata të shoqërisë civile.

Ai vetë thotë se e ka mbështetur idenë e AMMK’së edhe sa ka qenë ministër, por edhe sot si qytetar, meqë gjendja në parqe ka qenë dhe është e rëndë.

“Ideja për vendosjen e laurave nëpër hyrjet e parqeve të Kosovës, ka qenë e AMMK-së dhe e paraparë me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menagjimin e parqeve kombëtare. Në pjesën e fundit të vitit 2019 patën filluar ndërtimet e infrastrukturës për vendosjen e laurave dhe kjo është kundërshtuar nga banorët, Komuna e Pejës dhe organizata të shoqërisë civile, ky kundërshtim sipas meje nuk ka qenë i drejtë dhe as i dobishëm për asnjërin nga ata që e kundërshtuan. Politikisht unë e kam mbështetur idenë e AMMK-së atëherë si ministër në largim dhe e mbështes edhe sot si qytetar, sepse gjendja në parqe ka qenë dhe është e rëndë dhe nevoitet një menagjim më i mirë i tyre”, ka deklaruar Matoshi.

Ish-Ministri ka sqaruar se banorët e zonave dhe familjarët e tyre ishin përjashtuar nga kjo lloj pagese.

Sipas tij, taksat do të aplikoheshin vetëm për vizitorët e tjerë dhe se do të shërbenin për përmirësim të infrastrukturës në parqe dhe mirëmbajtjen e tyre.

“Duhet të sqarohemi se askush nga banorët e zonave që janë në parqe, dhe as familjarët e tyre nuk ishte paraparë që të paguajnë asnjë lloj takse, taksat do të aplikoheshin vetëm pas një periudhe kohore për vizitorët e tjerë dhe do të shërbenin për përmirësimin e infrastrukturës në parqe dhe sidomos për mirëmbajtjen e tyre. Të vijnë vizitorë të huaj në parqet kombëtare dhe t`i shohin ato të mbushura me mbeturina, nuk ishte pamje e mirë dhe nuk na bënte nder”, ka sqaruar Matoshi.

Me vendosjen e këtyre laurave, Matoshi thotë se ndër të tjera do të pengoheshin ndërtimet ilegale dhe prerja ilegale e pyjeve nëpër parqe.

“Katër arsye kryesore i ka pasur kjo iniciativë, përmes vendosjes së laurave do të kontrollohej futja e materialit ndërtimor në parqe, pra do të pengoheshin ndërtimet ilegale, do të kontrollohej gjuetia ilegale, do të parandalohej prerja ilegale e pyjeve nëpër parqet kombëtare, ndërsa më vonë me aplikimin e taksës do të krijoheshin mundësi më të mira buxhetore për mirëmbajtjen e parqeve kombëtare”, thuhet në përgjigjet e Matoshit.

Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sidoqoftë, që nga aplikimi i kësaj takse, shumë qytetarë janë shprehur kundër saj. Sipas tyre, së pari do të duhej të investohej nëpër qendrat turistike dhe pastaj të vendosej taksa.

(Kosova Sot Online)