Tri sëmundjet që i shtynë mbi 800 qytetarë të kërkojnë shërim jashtë shtetit

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 15:38
Tri sëmundjet që i shtynë mbi 800 qytetarë të kërkojnë shërim jashtë shtetit

807 qytetarë kanë aplikuar për të kërkuar mbështetje financiare që të shërohen jashtë vendit, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.

Kështu ka thënë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ky fond ka treguar që gjatë këtij viti këtë kategori e ka mbështetur me 3 milionë e 200 mijë euro.

Tre  sëmundjet qe kërkojnë ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, me të shpeshta janë; sëmundjet malinje (si leukemia), sëmundjet e kardiokirurgjisë se fëmijëve, rastet ortopedike etj”, thuhet në përgjigje.

Shpesh në opinion publikohen thirrje të familjeve të cilët kërkojnë ndihmë për më të dashurit e tyre.

Kjo pasi fondi i siguruar prej shtetit nuk mjafton për trajtimin e pacientit jashtë vendit.

E për këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, gishtin e ka drejtuar kah Ministria e Shëndetësisë.

Haxhiu  ka thënë se listat e kërkesave për trajtime jashtë vendeve janë shtuar.

“Kjo i kushton shumë buxhetit të shtetit, por është edhe një maltretim për pacientët dhe familjet e tyre, sidomos me u marrë me dokumentacionin që duhet për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Haxhiu.

Pos Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhiu ka plasuar kritika edhe për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

“Po ashtu për një kohë të gjatë bordi për trajtim jashtë vendit ka qenë jofunksional dhe pastaj ka pasur pengesa të mëdha”, ka thënë Haxhiu.

Institucionet përgjegjëse i ka quajtur si të papërgjegjshme.

Po ashtu Haxhiu ka thënë se shumë operacione në Kosovë nuk kryen për shkaqe krejt teknike.

Ka folur edhe për procedurën e vështirë deri te marrja e një shifre financiare nga shteti për t’u shëruar jashtë vendit.

“Po patjetër që me rregullore nëse brenda 6 muajve nuk është proceduar kërkesa ajo është dashur të përsëritet”, ka thënë Haxhiu.

Zhvillimet në Shëndetësisë

Më 6 tetor Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Dorëheqja kishte ardhur ende pa i mbushur një vit.

Latifi ishte kritikuar në opinion për takime dhe vizita jorelevante jashtë vendit.

E për të kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “nuk e ka shkuar”, duke shtuar se “do ta vazhdojë komunikimin”.

“Latifi më ka thënë që ka bërë krejt çfarë ka mundur”, ka deklaruar Kurti.

E Latifi ka shtuar se “do të jetë ambasador i shëndetësisë së Kosovës kudo që të shkojë”.

Kurti “ministër” i Shëndetësisë

Dafina Gexha-Bunjaku, është emëruar ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë.

Të njëjtin funksion e kishte ushtruar edhe pas dorëheqjes së Arben Vitisë nga pozita e ministrit për të kandiduar për kryetarin e Prishtinës, tetorin e vitit të kaluar.

Pos që Ministria e Shëndetësisë nuk ka ministër, institucioni e ka edhe një Komision Ekzekutiv të cilin e ka themeluar kryeministri Albin Kurti, më 14 shtator.

Kryetar i saj është vetë Kurti, ndërsa opozita thotë se tashmë Kurti pos kryeministër është edhe “ministër” i Shëndetësisë. 

(Kosova Sot Online)