100 eurot që Qeveria ua foli në shtator pensionistëve dalin gjatë këtij muaji

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 12:32
100 eurot që Qeveria ua foli në shtator pensionistëve dalin gjatë këtij muaji

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka konfirmuar se gjatë këtij muaji do të ekzekutohet shtesa e njëhershme prej 100 eurove për pensionistët.

Kjo shtesë është në kuadër të pakos anti-inflacion të cilën kryeministri Kurti e kishte prezantuar në fillim të muajit shtator.

“Në kuadër të Pakos për përballje me Inflacionin që kemi disejnuar muajin e kaluar, kemi paraparë mbështetje edhe për pensionistët. Për pensionistët ka marrë formën e një shume njëhershme prej 100 eurosh e cila do të ekzekutohet në llogaritë e tyre gjatë këtij muaji”, ka thënë Bislimi.

Më 3 shtator, në një konferencë për media bashkë me ministrin e Financave, Kurti kishte prezantuar një pako financiare si kundërpërgjigje për shkallën e lartë të inflacionit që ka goditur Kosovën.

Kreu i Qeverisë kishte treguar se pensionistëve do t’iu ndahet shumë e njëhershme prej 100 eurosh.

“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, kishte deklaruar Kurti më 3 shtator.

(Kosova Sot Online)