Në PE flitet për liberalizimin e vizave, Varhelyi: Duhet t’i bindim shtetet skeptike të votojnë pro

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 15:24
Në PE flitet për liberalizimin e vizave, Varhelyi: Duhet t’i bindim shtetet skeptike të votojnë pro

Oliver Varhelyi, Komisioner për Zgjerim në Bashkimin Evropian, ka folur sot para Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian për çështjen e heqjes së vizave për Kosovën. Ai thotë se po vazhdojnë përpjekjet për t’i bindur anëtarët e BE-së, që janë skeptikë rreth lejimit të kosovarëve që të lëvizin pa viza.

Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e ka pyetur Komisionerin se çfarë po bëhet që të binden shtetet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Varlehyi thotë se tashmë janë bërë përpjekje, por, sipas tij, nuk mjafton vetëm përmbushja e kritereve, të cilat i ka konstatuar Komisioni Evropian.

Sipas tij, duhet bindur shtetet që të votojnë pro liberalizimit, e të cilat, ai thotë se e kanë çështje të politikës së brendshme.  

Ai thotë se po bëhen përpjekje në union që skeptikët të binden se liberalizimi i vizave për Kosovës është gjë e sigurt.

“Ne po punojmë me shtetet anëtare, kjo është edhe arsyeja që erdhëm me një ‘non paper’, që ti e përmende, që është edhe përgjigja se çfarë vlerësime shtesë kemi ofruar. Kjo është një vlerësim shtesë që e kemi ofruar. Dhe, shpresoj se me këto dhe me rezultatet në terren…Qeveria e Kosovës ka filluar që, gjithashtu, t’ua shpjegojë vendeve anëtare, ne mund të demostrojmë se liberalizimi është gjë e sigurt për vendet anëtare”, tha Varhelyi gjatë raportimit të tij në Parlamentin Evropian.

Një raport shtesë, të cilit iu referuan sot në PE si “non paper” i është dorëzuar shteteve skeptike në lidhje me liberalizmin e vizave për kosovarët, që pritet të diskutohet nesër dhe pasnesër në Grupin Punues për Vizat. 

(Kosova Sot Online)