Kurti: S’mund ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 08:42
Kurti: S’mund ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk e ka dëgjuar fjalimin e Edi Ramës në Këshillin e Evropës.

Ai megjithatë është pyetur për thirrjen që kryeministri shqiptar iu bëri vendeve perëndimore për hedhjen poshtë të aktakuzave për ish-krerët e UÇK-së.

Shefi i qeverisë tha se kundërshtimin e tij për Specialen e ka dhënë në vitin 2015 dhe nuk ka qëndrim të ri për këtë çështje.

“Sa u përket Dhomave të Specializuara apo Gjykatës Speciale, siç njihet në mënyrë të popullarizuar, brengën dhe shqetësimin tim dhe kritikën e kundërshtimin tim e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e vitit 2015 kur u patën përgatitur amendamentimet kushtetuese, të cilat në qershor nuk kaluan e më pastaj në gusht u risollën pa u ndryshuar. Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje. Mund të them që Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi”.

E kryeministri kosovar duket se edhe e ka thumbuar homologun e tij shqiptar, duke thënë se “nuk mund të flasësh për Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”.

“Unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit e fajtorët të gjykohen dhe të dënohen. Kushdo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtarë ta trajtojë këtë çështje, sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi të cilin ka intervenuar NATO-ja për ta ndalur dhe kemi pa numër krime të paadresuara. Nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”.

(Kosova Sot Online)