Akuzat për fjalimin në KiE, Rama: Opozitë e zhytur në thesin e parave ruse

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 12:40
Akuzat për fjalimin në KiE, Rama: Opozitë e zhytur në thesin e parave ruse

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi akuzat e opozitës për fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me një postim ironizues në Twitter ndaj kreut të PL-së Ilir Meta, Lulzim Bashës dhe kreut të PD-së Berisha, Rama ka sjellë sërish vëmendjen te financimi rus në PD.

Postimi i Ramës në Twitter

“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas postimit të Edi Ramës, në përgjigje të kritikave për fjalimin e tij në KiE.

“Akti i një burracaku që kërkon të fshihet pas hijes së vet. Së pari kam teksin e fjalës së përfaqësuesit të Edi Ramës në KiE që është plotësisht dakord për një hetim të plotë dhe të gjerë. Së dyti, Rama ka qenë kryetar i PS kur deputetët e tij votuan pa përjashtim që të gjithë ligjin për hetimin ndërkombëtar të këtyre krimeve në territorin e Shqipërisë, ishte 100% dakord me këtë. Ai po dëmton thellë, shoh me keqardhje disa qëndrime të autoriteteve të ndryshme në Kosovë që nuk e frenojnë Ramën, po dëmton gjendjen e udhëheqësve politikë të burgosur në Hagë, nëse presidenti i një vendi u arrestua në avion, ndodhi për shkak të fushatës antigjykatë të hapur të Edi Ramës dheBatonit. Shërbimi më i keq që mund ti bëhet atyre është fushata e çmendur e tij, po i dëmton palcërisht.“, është shprehur Berisha. 

(Kosova Sot Online)