Prokurori Hamiti e konfirmon se mbetjet mortore që u gjetën në Novëbërdë janë të Bedri Rexhepit

  • E.K /
  • 18 October 2022 - 10:49
Prokurori Hamiti e konfirmon se mbetjet mortore që u gjetën në Novëbërdë janë të Bedri Rexhepit

Prokurori Armend Hamiti ka konfirmuar se mbetjet mortore që janë gjetur në Novëbërdë janë të Bedri Rexhepit, biznesmenit që është raportuar si i zhdukur qe 1 vit e gjysmë.

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, kishte deklaruar ai.

(Kosova Sot Online)