Fillimisht Vjosa Osmanin e pastaj Albin Kurtin, kjo është agjenda e Escobarit nga ora 08:30

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 08:12
Fillimisht Vjosa Osmanin e pastaj Albin Kurtin, kjo është agjenda e Escobarit nga ora 08:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi pritet të ndodhë në orën 9:50, sipas njoftimit nga kryeministria.

Paraprakisht, Gabriel Escobar do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, me fillim të orës 8:30, dhe ndërkohë gjatë ditës, ai do të takohet edhe me krerët e opozitës.

Përveç liderëve institucionalë, Escobar do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare.

Detaje të tjera për këtë vizitë nuk janë dhënë, megjithëse është hera e dytë brenda disa javësh, që amerikani Escobar takon partitë opozitare.

Herën e kaluar në Kosovë, Escobar ka qenë së bashku me evropianin Miroslav Lajçak. E ky i fundit javën e kaluar ka qëndruar në Prishtinë, ndërsa dje ka vizituar Beogradin. Në dy takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq, Lajçak ka thënë se temë boshte e diskutimit kanë qenë targat dhe energjia.

Ndryshe, javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet e liderëve botëror sa i përket bisedimeve Kosovë –Serbi.

I fundit ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili bisedoi përmes telefonit me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq. E në këtë proces janë angazhuar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët kanë dhënë një propozim për marrëveshjen dypalëshe.

(Kosova Sot Online)