Historia e frikshme e majës më të lartë në botë

  • E.K /
  • 22 October 2022 - 17:40
Historia e frikshme e majës më të lartë në botë

Me një lartësi prej 8.849 metra mbi nivelin e detit, Everesti është mali më i lartë në botë. E vendosur në seksionin Mahalangur Himal të Himalajave, maja e malit shtrihet në kufirin që ndan Tibetin nga Nepali. Mali Everest ka dy shtigje kryesore të ngjitjes:Kreshtën Juglindore nga ana e Nepalit, dhe Kreshtën Veriore nga ana e Tibetit.

Edhe pse rruga e Kreshtës Veriore është më e shkurtër, sot shumica e alpinistëve përdorin rrugën e Kreshtës Juglindore, e cila është teknikisht më e lehtë. Shtegu Veriore u hartua në vitin 1921 nga Xhorxh Malori gjatë Ekspeditës Britanike të Zbulimit, e cila ishte një ekspeditë eksploruese që nuk synonte të provonte ngjitjen e majës.

Në vitin 1922, Malori dhe kolegët e tij britanikë Xhefri Brus dhe Çarls Granvil Brus, së bashku me kimistin austriak George Finç, tentuan ngjitjen për herë të parë të majës më të lartë duke përdorur oksigjenin. Por në një moment ekspedita u pengua nga një ortek i madh dëbore.

Në qershorin e vitit 1924, Malori dhe alpinisti anglez Endrju Irvajn u përpoqën të arrinin majën e Everest, por nuk mbijetuan. Një ekspeditë e vitit 1999, gjeti trupin më në fund trupin e Malori. Ndërsa akulli në këtë mal po vazhdon të shkrijë për shkak të ndryshimeve klimatike, gjatë viteve të fundit po zbulohen gjithnjë e më shumë trupa alpinistësh.

Ekspeditat e hershme në vitet 1920-1930, u përpoqën të realizonin ngjitjen nga ana tibetiane. Por shtegu u mbyll kur Tibeti u vendos zyrtarisht nën kontrollin e Kinës komuniste në vitin 1951. Kjo e nxiti eksploruesin anglez Bill Tilman dhe një grup të vogël alpinitësh, mes të cilëve amerikanët Çarles Hjuston, Oskar Hjuston dhe Betsi Kauls, që t’i afrohen majës së Everestit përmes Nepalit.

Në vitin 1952, anëtarët e një ekspedite zvicerane të udhëhequr nga Eduard Dunant arritën deri në lartësinë 8.595 m në kreshtën juglindore, duke vendosur një rekord të ri. Tenzing Norgaj, një anëtar i kësaj ekspedite dhe një sherpa (udhërrëfyes) nga Nepali, mori pjesë në ekspeditën britanike vitin e ardhshëm.

Në 1953, një ekspeditë britanike e udhëhequr nga Xhon Hunt u rikthye në Nepal. Ai zgjodhi dy çifte alpinitësh. Çifti i parë - Tom Burdilon dhe Çarls Evans - arriti deri 91 metra larg majës, por u detyrua të kthehej pas për shkak të problemeve me oksigjenin.

Dy ditë më vonë, çifti i dytë - alpinisti nga Zelanda e Re Edmund Hilari dhe sherpa Norgej - arritën në majë, bënë disa fotografi dhe lanë aty disa ëmbëlsira dhe një kryq. Sot, mali po bëhet edhe më pak i vështirë për t’u ngjitur.

Një studim i këtij viti i botuar në revistën “NPJ Climate and Atmospheric Science”, tregoi se akullnajat e Everestit po shkrihen me shpejtësi për shkak të ndryshimeve klimatike , duke i bërë më të shpeshtë ortekët. Akullnaja “South Col” - më e larta në botë - është holluar me më shumë se 55 metra vetëm gjatë 25 viteve të fundit.

Por nga ana tjetër, temperaturat më të ngrohta dhe humbja e akullit, e kanë bërë më të lehtë për alpinistët që të ngjiten në majën e malit. Erdhe teknologjia e ka bërë më të sigurt ngjitjen. Oksigjeni suplementar është sot më i lehtë për t’u siguruare dikur. Dhe nëse e gjeni veten të bllokuar diku, do të vijë një helikopter që do t’ju shpëtojë.

Lartësia e malit Everest u përcaktua për herë të parë në vitin 1856. Në atë kohë, Anketa e Madhe Trigonometrike e Indisë Britanike e përcaktoi lartësinë e malit, të njohur prej tyre si Maja XV, në 8.840 metra. Por kjo matje kishte disa të meta pasi Nepali nuk u lejoi hyrjen për shkak të shqetësimeve se vendi do të pushtohej apo aneksohej nga Britania.

Lartësia aktuale e pranuar e majës më të lartë në botë,u përcaktua nga një studim i përbashkët kinezo-nepalez në nëntorin e vitit 2021. Edhe pse teknikisht, lartësia e Everestit rritet vazhdimisht, për shkak të aktivitetit të pllakave, dhe bie për shkak të rritjes së nivelit të detit.

Në vitin 1865, Endrju Vog, gjeodeti kryesor britanik në Indi, sugjeroi që mali të merrte emrin e paraardhësit të tij në detyrë, Sër Xhorxh Everest. Tibetianët e quanin malin Çomolungma, ose Nëna e Shenjtë. Por Vog nuk e dinte këtë, sepse Nepali dhe Tibeti ishin të mbyllura për të huajt.

Mali Everest tërheq alpinistë me përvojë, por edhe alpinistë më pak të sprovuar nga e gjithë bota, të cilët zakonisht marrin udhërrëfyes lokalë nga populli Sherpa, një grup etnik tibetian i njohur për njohuritë e tyre mbi vargmalin Himalajan dhe aftësitë e tyre në ngjitje.

Edhe ngjitja e më shumë se 3.350 metrave nga kampi bazë në majën e parë në një mjedis me një nivel të ulët oksigjeni, nuk është diçka e lehtë. Sëmundja e lartësisë, moti, era dhe në raste të rralla, psikoza e shkaktuar nga lartësia janë pengesat kryesore për të arritur majën.

“Është njëlloj si të mbash frymën dhe të ngjitesh një sërë shkallësh. Por jo shkallë dosido.  Është më shumë si të ngjitesh në këmbë në majë të Empire State Building në Nju Jork”- thotë alpinisti veteran dhe mbajtësi i rekordeve Alan Arnet.

Më shumë se 6.000 njerëz kanë arritur deri më sot në majë të Everestit. Ndërkohë 300 njerëz kanë vdekur në përpjekje për ta bërë këtë. Gati 80 për qind e këtyre ngjitjeve kanë ndodhur që nga viti 2000. Në vitin 2018, u regjistrua një rekord prej 807 ngjitjesh të suksesshme.

Po çfarë jeton në Everest?

Ky mal është i rrethuar nga një numër majash shumë të larta si Lotse (8.516 m), Nuptse (7.861 m) dhe Çangtse (7.560 m). Në lartësi të tilla ekstreme nuk mund të jetojnë dot kafshët apo bimët. Por dëllinja, pishat blu, bredha, bambuja etj rriten në zonat më të ulëta të malit.

Ndërkohë dreri, pandat e kuqe, leopardët e borës dhe arinjtë e zinj Himalajanë banojnë në lartësi nën 5.000 metra mbi nivelin e detit. Po ashtu në këtë zonë jetojnë një numër i vogël majmunësh, lepujsh dhelprash malore dhe ujqërish.

(Kosova Sot Online)