Shqiprim Arifi para takimit me Presidenten: Do të shkojmë për konsultime, Kurti na ftonte për përçarje

  • S.A /
  • 24 October 2022 - 12:22
Shqiprim Arifi para takimit me Presidenten: Do të shkojmë për konsultime, Kurti na ftonte për përçarje

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, do të marrë pjesë në takimin që presidentja Vjosa Osmani do ta zhvillojë në orën 13:00 ne liderët institucionalë dhe përfaqësuesit politikë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Arifi i tha Gazetës Express se ka dallim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani dhe ftesave të tyre për takim me përfaqësuesit e Luginës. Në prill, ai kishte refuzuar t’i shkonte në takim kryeministrit Albin Kurti, me arsyetimin se shefi i Qeverisë së Kosovës po përpiqej të ndërhynte në proceset politike në Preshevë, duke favorizuar rivalen e tij, Ardita Sinanin.

“Ka një dallim të veçantë sepse Kurti, Liburn Aliu, kur më kanë ftuar në takim, kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në Luginën e Preshevës, ta përçajnë spektrin politik, kurse presidentja Osmani po na fton për konsultime. Për këtë unë kam bërë kërkesë para 5 muajsh presidentes për t’u takuar dhe normalisht që kur na fton, marrim pjesë. Ky është dallimi i veçantë. Pra, Kurti në Luginë ka dashur të bëjë përçarje. Osmani po bën konsultime. Ky është dallimi”, thotë Arifi.

Kryetari i Preshevës e pranon se nuk ka marrëdhënie të mira me kryeministrin Albin Kurti, i cili, sipas Arifit, “e ka dëmtu Luginën e Preshevës”. Në këtë pikë, ai vlerëson se presidentja Vjosa Osmani përbën dallim diametral.

“Vet fakti që Kurti ka bërë përçarje ekstreme 5-6 muajt e fundit në Luginë të Preshevës dhe këtë e ka bërë për një person specifik, Ardita Sinanin, normalisht që nuk mundemi me i pasë marrëdhëniet në nivel konstruktiv me të sepse e ka dëmtu Luginën e Preshevës, kurse Vjosa Osmani dallon diametral, së paku, nuk ka bërë asnjë përçarje në Luginën e Preshevës dhe nuk ka mbajtë anë për njërin apo tjetrin në Luginën e Preshevës dhe kjo është një pozitë që ne e përshëndesim dhe e shohim konstruktive apo si bazë konstruktive, e tash çfarë sjell e ardhmja pas konsultimeve me të, do ta shohim”, tha ai.

Arifi tha se nga takimi pret që “të mos ndodhin çudira të mëdha”.

“Unë ftesën e kam kuptuar ashtu që Presidentja dëshiron të konsultohet me ne në këtë situatë që po e kalojmë në këtë momentum me dialogun dhe ne si çdoherë, edhe më herët, por edhe kësaj radhe, do t’ia bëjmë të qartë qëndrimet tona”, tha ai.

(Kosova Sot Online )