Kosova vetëm në hap me Amerikën

Kosova vetëm në hap me Amerikën

Hajrullah Tërnava

  • 24 October 2022 - 07:31

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Kosova me politikat e saja që i zhvillon në tërësi, gjithsesi duhet të jetë në harmoni me politikat evropiane dhe me ato amerikane, sepse Amerika e ka dëshmuar se është miku i jonë më i madh, dhe si i tillë na ndihmoj në ditët më të vështira që të çlirohemi nga një armik shekullor, me të cilin deri më tani ende nuk kemi arritur një pajtim dhe njohja reciproke, pra mes Serbisë dhe Kosovës.

Ndërmjetësimet në dialog me Serbinë që po vazhdojnë tani nga SHBA dhe edhe nga shtetet evropiane e kanë qëllimin që njëherë e përgjithmonë të kryhet kjo çështje mjaft e ndjeshme e mbetur hapur me Serbinë e që është çështje serioze për Kosovën, sepse edhe shteti i ynë i ka qëllimet që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare dhe ti arrij ato qëllime. Kjo është edhe dëshirë e popullit të Kosovës, prandaj tani kur Kosovën po e vizitojnë emisarët ndërkombëtar, duhet të ketë një unifikim dhe bashkim të spektrit politik.

Peshë të madhe ka vizita e fundit e të deleguarit të SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitë kjo që duhet të reflekton në kursin e zhvillimeve politika brenda spektri politik të Kosovës, të përafrimit mes pozitës dhe opozitës, për të krijuar një qëllim dhe një qëndrim unik në raport me agjendën e intensifikuar të dialogut me Serbinë dhe zgjidhjen që do të ofrohet si kompromis, propozimi franko gjerman i cili edhe mundë të ju ketë prezantuar dhe komunikuar palëve në takimet e fundit që kanë zhvilluar. Kryeministri Kurti i ka ftuar ne takim te gjitha partitë politike për të diskutuar dhe qartësuar pozicionin e shtetit të Kosovës lidhur me dinamikën e re të dialogut dhe propozimet që po paralajmërohen të nxirren në tavolinë, siç është propozimi Francë- Gjermani.

Tani klasa politike e Kosovës pa dallim në pozitë dhe opozitë, është para testit historik për tu bashkuar në një qëndrim të unifikuar, për ta dhënë propozimin e përbashkët të platformës për një marrëveshje përtej së cilës do të caktohen vijat e kuqe pa të drejtë për të negociuar dhe për ti tejkaluar. Escobar në Prishtinë takoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit politik të opozitës, ku temë kyçe ishte dialogu i fascilituar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithsesi se tani është moment kritik dhe i duhur i raportimit të kryeministrit Kurti para Kuvendit të Kosovës dhe aty të ndërtohet platforma e përbashkët dhe qëndrimi unik, ku do të zbardhet edhe propozimi franko gjerman që po mbahet akoma sekret, sepse nuk bëhet fjalë për një marrëveshje teknike, por për një zgjidhje që shënon moment vendimtar dhe të pakthyeshëm historik, prandaj në këtë tubim duhen të marrin pjesë të gjitha partitë dhe të jenë shumë aktive dhe konstruktive mes veti për tu arritur një marrëveshje e përjetshme mes Serbisë dhe Kosovës, për ta përjetuar fuqishëm populli i Kosovës pavarësinë e plotë të shtetit me mbështetje akoma më të madhe ndërkombëtare, dhe të anëtarësuar në të gjitha institucionet ndërkombëtare botërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".