Kapja e UP’së nga pushteti nis valën e akuzave për plagjiaturë, u denoncuan u.d, e rektores dhe dekani i juridikut

  • E.K /
  • 25 October 2022 - 14:54
Kapja e UP’së nga pushteti nis valën e akuzave për plagjiaturë, u denoncuan u.d, e rektores dhe dekani i juridikut

Organizata të shoqërisë civile javën e kaluar alarmuan se Qeveria po planifikonte shkarkimin e Rektorit Naser Sahiti. Pasi këtë veprim, që si duket u orkestrua nga Ministria e Arsimit nuk e ndaloi askush, si ushtruese e detyrës u caktua Luljeta Plakolli-Kasumi, emri i të cilës u ndërlidh në forma të ndryshme me Presidenten Osmani. Me të nisur java e re, profesori i Juridikut Enver Hasani tha se ushtruesja e detyrës së rektores  punimin e doktoratës e ka plagjiat. Të njëjtën e tha edhe edhe për dekanin e Juridikut duke shtuar se ai ka vjedhur nga disa autorë shqiptarë. Akuza për plagjiaturë bëri edhe rektori Sahiti një ditë para se të shkarkohej.

Prej vitesh është raportuar për cilësi të dobët në fushën e arsimit në Kosovë. Profesorë të ndryshëm janë zënë me punime të vjedhura, duke dëshmuar se një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë idenë se si punohet tema e doktoratës. Të njëjtit sot mbajnë pozita të larta në “Hasan Prishtina”.

Me emra konkretë për plagjiaturë po flitet për profesorë që mbajnë pozita të larta në UP, sidomos pas shkarkimit të rektorit të UP-së, Naser Sahiti. Ky i fundit në ditën e shkarkimit e akuzoi për plagjiaturë një anëtar të Këshillit Drejtues të UP-së.

Në pozitën e U.D., rektorit të UP-së u vu Luljeta Plakolli-Kasumi, familjare e presidentes Vjosa Osmani. Për të pretendohet se një pjesë të konsiderushme të temës së doktoratës e ka plagjiaturë.

Gjithashtu, pretendohet se mbi 50 për qind e temës së doktoratës së Dekanit të Fakultetit Juridik Avni Puka është plagjiaturë.

Për të dy ka folur mbrëmë , ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Doktorata e U.D., të rektores Luljeta Plakollit është “zhgl dhe plagjiat”

Profesori universitar Enver Hasani e akuzon Luljeta Plakollin për “nivel të ulët dhe plagjiat” në punimin e saj për doktoraturë.

Sipas tij, tema e doktoratës së Plakollit nuk është “as punim seminarik”.

“Për fat të keq, kam qenë kryetar i komisionit të saj për doktoratë para një viti e gjysmë. Mas tri katër herë, se u lodha, se problem është 3-4 me kontrollu një doktoratë dhe mos me t’i marrë parasysh. Një herë e dy me kolegë, dikur u dorëzova dhe me kërkesën dhe lutjen e dekanit ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pasë një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë… Tmerr. Unë jam në universitet prej 87-s, kam pasë rast me ndihmu dhe monitoru në çdo nivel. Pas kërkesës së dekanit, kam besu që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thojnë po don me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më çoi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë”, tha Hasani.

Hasani tha se referencat nuk janë të autorëve që i ka cituar ajo në punim.

Lidhur me akuzat ndaj saj për plagjiaturë, Luljeta Plakolli – Kasumi, nuk ka kthyer përgjigjet në pyetjet që ia ka dërguar media.

Ish-kryetari i Kushtetueses Enver Hasani tha se Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka e ka mbi 50 për qind plagjiat punimin e doktoratës.

“Pas kërkesës së dekanit, kur është zgjedhë dekani kam besu që do të bëhet një lloj fryme pak më ndryshe dhe kam qenë instrumental në ardhjen e tij aty, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh krejt thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë të ri më thirrin, më thojnë po dojnë me ma hjekë lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës… Ajo ishte zhgëjimi im përfundimtar që më çoi mu me këqyrë profilin psikologjik siç e kam pasë bërë me rastin Lumezi…. E këqyra njëherë doktoratën e tij dhe rezulton, pas një analize 2-3 muj, doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë, nuk ka rëndësi kush”, tha Hasani.

Media ka tentuar të marrë një përgjigje nga dekani Avni Puka, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon e as në adresën e tij elektronike.

Naser Sahiti është shkarkuar të premten me 8 vota për dhe një abstenim nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Ai nuk mori pjesë në këtë mbledhje duke e konsideruar si të jashtëligjshme.

Por tek kur u shkarkua, ai tha se në zgjedhjet e mbajtura në qershor për Këshillin Drejtues të UP-së është zgjedhur një kandidat, i cili ka plagjiaturë.

“Çështja e parë është me këshillin drejtues, si rezultat i atyre zgjedhjeve të Këshillit Drejtues është zgjidhur një kandidat që ka plagjiatë në punimin e tij të doktoratës. Ka qenë edhe një prononcim i ministres për këtë çështje ku ajo ka thënë se do të kërkoj nga Këshilli Drejtues qe këtë rast ta denoncoj në Këshill të Etikës, përkundër atij zotimi anëtarët nuk e kanë denoncuar rastin në Këshill të Etikës me arsyen se nuk kemi fakte”.

Ai ka shtuar se ORCA ka ofruar fakte të mjaftueshme për këtë.

“ORCA ka ofruar fakte të mjaftueshme edhe kanë kërkuar nga këshilli drejtues që të procedojnë më tutje, por ata kanë thënë që këtë çështje ta procedon ORCA. Pasi bëhet fjalë për një pozitë shumë të lartë, bëhet fjalë për Selim Bezerin. E kam parë të arsyeshme që unë ta marrë në dorë ta denoncoj rastin dhe rasti është në Këshill të Etikës me dëshmitë e nevojshme që doktorata është plagjiaturë”, tha ai.

Për denoncimet për plagjiaturë, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur sot aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ku Dibran Hoxha nga kjo organizatë tha se Altin Sahiti nga Ministria e Arsimit, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi, shkarkuan ish-rektorin Naser Sahiti të premten pa asnjë justifikim të qëndrueshëm.

“Kush do ta mendonte se vetëm 21 ditë pas ardhjes në pozitë të plagjiatorit dhe infamozit të cilët e filluan mandatin e tyre në Këshill Drejtues më 1 tetor, do të arrinin marrëveshje me përfaqësuesit nga radhët e Ministrisë së Arsimit për ta shkarkuar rektorin”, tha Hoxha.

Ai shtroi pyetje për ministren e Arsimit Arbërie Nagavci se kur do të fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës.

“Sikur të mos mjaftonte kjo, në ditën e shkarkimit të rektorit, kryesuesi i Këshillit Drejtues rren publikisht duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares se pse anëtarët e ministrisë në Këshillin Drejtues nuk e kanë denoncuar plagjiaturën e Selim Bezerajt, meqë ata vet ishin zotuar për një veprim te tillë. Altin Sahiti pa pikë turpi u përgjigj që ata nuk e kishin dhënë një zotim kësisoj, në ndërkohë i njëjti më datë 30 qershor 2022 në mbledhjen 20 të Këshillit Drejtues me insistim te shtuar kishte lexuar me gojën e tij emailin e ardhur nga ministria për adresim e plagjiaturave brenda vet Këshillit. Pyetja që shtrohet është, a e ka ditur Ministrja Nagavci që anëtarët e vet në Këshillin Drejtues po ia pinë cigaren msheft? Nëse po, a mund të na tregojnë pse kanë ndryshuar mendim për denoncimin e Selim Bezerajt në Këshill të Etikës? Dhe krejt në fund: kur do te fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës? Këshillit Drejtues veç e veç deri në demaskimin total te tyre” tha ai. 

(Kosova Sot Online)