“Pushtimi shqiptar”/ 12.000 vetë me gomone drejt Anglisë për 5 muaj, Londra në alarm

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 15:34
“Pushtimi shqiptar”/ 12.000 vetë me gomone drejt Anglisë për 5 muaj, Londra në alarm

12 mijë shqiptarë janë larguar me gomone drejt Anglisë nga qershori deri në tetor të këtij viti, sipas të dhënave të dala nga Komisioni i Çështjeve të Brendshme në parlamentin britanik.

Në 2020-tën, kjo shifër ishte vetëm 50 theksojnë me shqetësim ligjvënësit anglezë. Vitin e kaluar shkoi në 800 dhe këtë vit pëson kapërcimin e frikshëm. Nga këta 12 mijë emigrantë të paligjshëm, 10 mijë janë meshkuj të rritur.

Vetëm 12% e meshkujve shqiptarë arrijnë ta fitojnë azilin, dhe një pjesë e mirë e tyre, as nuk lodhen fare ta kërkojnë. Rritja e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që tentojnë hyrjen me gomone në Britani, nxiti ish sekretaren e brendshme Priti Patel të kërkonte mënyrat për kthimin e shpejtë të tyre mbrapsht, me argumentin kryesor faktin që Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë dhe se emigrantët që mbërrijnë në këto lloj rrugësh prej andej, e kalojnë përmes vendesh të tjera gjithashtu të sigurta në rrugëtimin e tyre, do të llogaritej se në mbërritje, bëjnë kërkesa të rreme azili.

Në muajin gusht, Patel nënshkroi me qeverinë shqiptare një marrëveshje për t`i kthyer me shpejtësi nga Doveri ata që mbërrijnë ilegalisht. Pavarësisht se në shtator, Home Office e shpalli përkohësisht të pavlefshme marrëveshjen, përpjekjet britanike për t’i vënë fre fenomenit u rikthyen dhe këtë muaj kulmuan me projektin pilot përmes të cilit 12 emigrantë shqiptarë, 9 burra e tre gra, u kthyen mbrapsht vetëm pak pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo shënoi herën e parë që Londra zyrtare, e përballur me një numër rekord mbërritjes me gomones e varka këtë vit, arriti një deportim kaq të shpejte emigrantësh klandestinë që hyjnë nga deti.

Këta persona u dërguan në një stacion të posaçëm policor të aeroportit, i financuar nga britanikët e i dedikuar procesimit të të dhënave te kriminelëve shqiptarë të kthyer. Atje, emigrantëve iu dhanë mbrapsht pasaportat e konfiskuara në Dover, vulosur me një njoftim nga qeveria shqiptare që ndalonte kthimin e secilit prej tyre në zonën Shengen të Europës për tre vitet e ardhshme.

(Kosova Sot Online)